Partia Liberale zgjedh Mark Carney si pasuesin e Trudeau


Mark Carney është zgjedhur kryetar i Partisë Liberale të Kanadasë pas një gare disa mujore për të pasuar Justin Trudeau.

Ai pritet të udhëheqë partinë në zgjedhjet e ardhshme federale, të cilat duhet të mbahen para tetorit, por mund të shpallen më herët.

Carney ka të ngjarë të përballet me një garë të ashpër kundër Partisë Konservatore, e cila aktualisht kryeson në sondazhe.

Ndërkohë, Carney do të marrë menjëherë drejtimin e Partisë Liberale, ndërsa Trudeau do të vazhdojë të ushtrojë detyrën e kryeministrit gjatë një periudhe tranzitore, deri në përcaktimin e pasardhësit të tij.

Një nga sfidat më të mëdha me të cilat do të përballet menjëherë Carney është përkeqësimi i marrëdhënieve të Kanadasë me Shtetet e Bashkuara.

Presidenti amerikan Donald Trump ka akuzuar vazhdimisht Kanadanë për lejimin e imigracionit të paligjshëm drejt SHBA-së, ka kërcënuar ta trajtojë vendin si shtetin e 51-të dhe ka paralajmëruar vendosjen e tarifave të larta për importet kanadeze.

Në komentet e tij të para pas zgjedhjes, Carney iu referua tensioneve me SHBA-në, duke deklaruar se qeveria e tij do të “krijojë marrëdhënie të reja tregtare me partnerë të besueshëm”. Ai gjithashtu u zotua të mbajë tarifat hakmarrëse ndaj SHBA-së “derisa amerikanët të na tregojnë respekt”.

“Kërcënimet e reja kërkojnë ide të reja dhe një plan të ri”, tha ai në konventën e Partisë Liberale të dielën.

Duke goditur planet tarifore të administratës Trump, Carney tha për presidentin amerikan: “Ai po sulmon familjet, punëtorët dhe bizneset kanadeze dhe ne nuk mund ta lëmë të ketë sukses dhe nuk do ta bëjmë.”/CNN