Peleshi: Kemi bërë punë të mira, më 11 maj do të jemi prapë këtu


Kryetari i Grupit të PS-së, Niko Peleshi, gjatë fjalës së tij në Kuvend, hodhi poshtë pretendimet e opozitës dhe deklaroi se qeveria nuk ka kopjuar programin për zgjedhjet e 11 majit.

Ai theksoi se PS është në qeverisje dhe do të vazhdojë të qeverisë, ndërsa sfidoi opozitën që të angazhohet publikisht që 11 maji të mos shndërrohet në një ditë përleshjesh dhe bllokimi të foltores, por në një ditë ku të pranohet rezultati dhe t’i urohet fitorja fituesit.

“Jemi në qeverisje dhe do të qeverisim. Nuk kemi nevojë t’u kopjojmë dhe kur ju e hapni shifrën si t’ju vijë. Më 11 maj do të jemi prapë këtu. Më 11 maj të mos jetë ditë e përleshjes dhe bllokimit të foltores, por një ditë ku t’i urojmë fitoren fituesit. Ne e bëjmë, po e premtuat edhe ju, do të jetë një arritje e madhe.

Kjo është dita e komuniteteve që ne e kemi shkelur me të dyja këmbët. Unë dua të çoj një mesazh falënderimi për të gjithë deputetët kolegët e PS dhe opozitës, por meqë jemi para zgjedhjeve, e falënderoj për punën e gjithsecilit.

Ajo që do të ngelet kur ditët të kalojnë, nuk janë fjalët, ofendimet dhe sharjet, por punët. Kemi bërë punë të mira. Edhe ju keni dhënë kontribute. Një ishte konsensusi për ndryshimet në Kodin Zgjedhor”, tha ndër të tjera Peleshi.