Rama: Mbase nuk garoj fare për deputet


Kryeministri Rama e ka lënë të hapur mundësinë e mosgarimit për deputet në zgjedhjet e 11 majit.

Gjatë takimit me grupin parlamentar, një ditë pas takimeve me drejtuesit e PS-së në qarqe, ai theksoi se këta të fundit do jenë në listat e mbyllura për të garantuar një proces të drejtë mes kandidatëve të tjerë në garë.

Rama theksoi se ai është kryeministër dhe nuk ka asnjë arsye që t’i zërë vendin dikujt tjetër në Kuvend nga radhët e PS-së.

“Unë e kam shprehur që drejtuesit duhet të jenë në listën e hapur. Problem më duket se ka argumenti im, është se kjo do çorodiste gjithë procesin se nuk do lejonte asnjë barazi shansesh në garë dhe nga ana tjetër, nuk do garantonte asnjë lloj drejtimi të vërtetë politik të ndeshjes nga ana jonë. Pasi drejtuesit politikë do ishin të fokusuar për të marrë vota për vete me një status më të veçantë do krijonin pabarazi dhe do çorientohej gjithë skuadra. Drejtuesit politikë duhet të garantojnë që gjithë deputetët që janë në garë të kenë hapësirë të barabartë, sa më të barabartë. Nuk besoj kurrë që asnjë drejtues politik mund të futet në preferenca se për kë duhet të votojnë anëtarët e PS-së dhe qytetarët. Kjo është e padiskutueshme.  E vetmja gjë vlen edhe në rastin tim. Nuk e kam pasur idenë se pse unë duhet të jem në atë Kuvend si deputet për sa kohë kam këtë detyrë. Nga ana tjetër do ishte prapë një hyrje në hak ndaj të tjerëve , të vendosja emrin tim dhe të çorientoheshin njerëzit. Kush është në listën e hapur duhet të jetë në garë të barabartë. Vendimin për veten se kam marrë, mund të mos jem fare në listë, mund të jem deputet i të gjithëve për detyrë që kam, duke mos i zënë vendin askujt”, tha Rama.