Kryeministri Edi Rama, në mbledhjen e grupit parlamentar të PS-së, theksoi rëndësinë e zgjedhjeve të 11 majit, duke e cilësuar Partinë Socialiste si “më të vjetrën në eksperiencë dhe më të renë në energji”.
“Nuk mjafton të mbash një altoparlant dhe të protestosh për gjysmë të vërteta. PS është e vetmja forcë që garanton stabilitet dhe zhvillim,” u shpreh Rama.
Ai theksoi se Partia Socialiste është forca që garanton stabilitet dhe zhvillim, duke e cilësuar atë si “më të renë nga të rejat” që ndodhen në skenën politike shqiptare.
“Në këto zgjedhje duhet t’i japim shqiptarëve partinë më të vjetër në eksperiencë dhe më të renë në energji, nuk ka parti që mund të bëjë 1/100 e asaj që bëjmë ne sepse nuk mjafton të mbash një altoparlant dhe të protestosh për gjysmë të vërteta që në thelb janë gënjeshtrat më të mëdha për të marrë përgjegjësi qeverisëse.
Sot them çfarë kurajojë e paimagjinueshme të jesh pa eksperiencë e të duash të udhëheqësh vendin, kur kujtoj veten time para shumë vitesh. Sot kemi eksperiencë, kapacitet për t’i dhënë shqiptarëve mundësinë të zgjedhin një parti të re, më të renë e të gjitha të rejave që ndodhen në territor.
Duke votuar një parti tjetër sikur të bjerë zari 3 herë te 60a mund të kapësh një deputet të ri. Duke votuar PS mund të përfaqësohesh nga deputetë të rinj”, tha ai.
Ai foli edhe për situatën gjeopolitike, duke nënvizuar se Shqipëria duhet të mbetet e pozicionuar qartë në aleancat me NATO-n dhe BE-në. “Ne jemi të vegjël për të vendosur, por interesi ynë është shumë i madh për t’u lënë në drejtim të paditur,” tha ai.
“NATO, lëkundje e madhe tektonike në një botë ku është hapur shtegu për paqe mes Rusisë dhe Ukrainës dhe ku është vënë në lëvizje të jashtëzakonshme e gjithë gjeopolitika botërore.
Ne jemi shumë të vegjël, për të vendosur, por fati ynë dhe interesi ynë është shumë i madh për t’u lënë në drejtim të paditur. Në këto momente qoftë sa i përket BE he NATO-s, zëri dhe prania jonë, dhe siguria jonë e brendshme pra pozicioni i vendosur stabël e i pa lëkundur nga kua kuatë që nuk jehojnë dot jashtë perimetrit të kënetës, është themelor”, tha ai.