Erdhi si vëzhgues, gjykata s’e lejon avokatin amerikan në seancën ndaj Veliajt


Apeli i Gjykatës së Posaçme nuk  e ka lejuar avokatin amerikan të kryebashkiakut Erion Veliaj në seancë, raporton BW.

Joshua Roberts ka ardhur në Tiranë në rolin e vëzhguesit në çështjen ndaj Veliajt ndërsa përfaqëson studion ligjore amerikane “Kasowitz Benson Torres LLP”.

Roberts deklaroi ditën e djeshme se është pjesë e një studioje ligjore që këshillon Veliajn dhe se kishte ardhur në rolin e vëzhguesit.

“Emri im është Joshua Roberts, jam partneri i një studioje ligjore amerikane që këshillon kryetarin Veliaj dhe jemi në dijeni për arrestin e tij prej datës 10 shkurt. Jam këtu thjesht në rolin e vëzhguesit. Në Amerikë, sipas Kushtetutës dhe ligjit, akuzat dhe veprat penale ngrihen në bazën e një shkaku të arsyeshëm kur të jetë kryer një krim. Dhe qytetarët që përballen me akuza penale mund të ndalohen para gjyqit vetëm nëse paraqesin rrezik për shoqërinë. Ndikimet e caktuara në afat dhe pa akuza penale dhe kriteret për rreziqe për politikanët janë në kundërshtim me sundimin e ligjit dhe demokracinë në SHBA. Nesër unë do të vëzhgoj argumentet e apelimit në lidhje me lirimin me kusht të kryetarit Veliaj. Nuk do t’ju përgjigjem për asnjë pyetje apo të bëj ndonjë vërejtje sot”, tha ai në një deklaratë për mediat dje.

Kryebashkiaku Veliaj ka mbërritur në seancë nga paraburgimi i Durrësit ku qëndron që prej arrestimit më 10 shkurt 2025.

Veliaj ka bërë reagime thuajse të përditshme që prej arresimit duke akuzuar prokurorin Olsi Dado se po hakmerret personalisht ndaj tij pasi nuk ka marrë leje ndërtimi, duke shkruar se është në konflikt interesi.