Gjashtë të vrarë në Bregun Perëndimor ndërsa forcat izraelite intensifikojnë operacionet


Gjashtë palestinezë, përfshirë një grua 60-vjeçare, janë vrarë në Jenin gjatë 24 orëve të fundit nga forcat izraelite, njoftoi të martën Autoriteti Palestinez, ndërsa vazhdon një nga operacionet më të mëdha ushtarake në Bregun Perëndimor në vitet e fundit. 

Në një incident të veçantë, Autoriteti Palestinez njoftoi se një burrë, i kërkuar për sulme të mëparshme, u vra nga forcat e tij të sigurisë, përcjell Reuters.

Që nga fillimi i këtij operacioni në janar, në të cilin janë përfshirë mijëra trupa izraelite në qytete dhe kampe refugjatësh në veri të Bregut Perëndimor, numri i palestinezëve të vrarë ka arritur mbi 30. 

Shumë nga viktimat kanë qenë luftëtarë të armatosur të grupeve militante palestineze, por mes të vrarëve ka pasur edhe civilë të pafajshëm. 

Dhjetëra mijëra palestinezë janë larguar nga shtëpitë e tyre që nga fillimi i operacionit në Bregun Perëndimor, i cili nisi pas shpalljes së armëpushimit në Gaza.

Trupat izraelite kanë ndërmarrë aksione të gjera në kampet e refugjatëve në Jenin dhe qytetet përreth, duke shembur shtëpi dhe infrastrukturë, përfshirë rrugë dhe tubacione uji. 

Izraeli argumenton se operacioni ka për qëllim goditjen e grupeve militante të mbështetura nga Irani, përfshirë Hamasin dhe Xhihadin Islamik, të cilët kanë krijuar baza në zonat e dendura urbane ku jetojnë pasardhësit e palestinezëve të larguar ose të dëbuar nga shtëpitë e tyre gjatë luftës së Lindjes së Mesme të vitit 1948. 

Vendet si Franca dhe Gjermania, si dhe organizata ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara, kanë shprehur shqetësim për shkallën e operacionit dhe kanë bërë thirrje për vetëpërmbajtje. 

Të martën, forcat speciale të policisë izraelite zhvilluan një përleshje të armatosur me palestinezë të ngujuar në një shtëpi në Jenin, duke vrarë dy prej tyre dhe plagosur një tjetër, sipas ushtrisë izraelite. 

Në një incident të veçantë, një burrë që hapi zjarr ndaj trupave izraelite u vra, sipas të njëjtit burim. 

Autoriteti Palestinez raportoi gjithashtu se një grua 60-vjeçare u qëllua dhe u vra nga trupat izraelite në një pikë kontrolli. Ushtria izraelite nuk ka komentuar mbi këtë incident. 

Një natë më parë, një burrë palestinez humbi jetën kur motoçikleta e tij u godit nga një automjet ushtarak izraelit, sipas Autoritetit Palestinez. 

Forcat izraelite thanë se gjatë përleshjeve në qytet arrestuan 10 palestinezë dhe konfiskuan dy automjete të mbushura me armë. 

Në një sulm të veçantë të martën, kolonë izraelitë të armatosur sulmuan fshatin Umm Safa, pranë Ramallahut, rreth 100 km në jug të Jeninit, duke i vënë flakën tre automjeteve, sipas kreut të këshillit të fshatit.