Përshkallëzohet protesta në Serbi, Vuçiç: Duhet të më vrisni nëse doni të më zëvendësoni


Disa qindra studentë protestues kanë bllokuar ndërtesën e televizionit publik në Beograd, ndërsa tensionet po rriten në Serbi, vetëm pak ditë para një tubimi të madh të planifikuar për fundjavën, i cili cilësohet si moment vendimtar për muajt e protestave kundër qeverisë, raporton Associated Press.

Studentët fillimisht bllokuan ndërtesën e televizionit në qendër të Beogradit të hënën në mbrëmje, dhe qindra prej tyre u mblodhën sërish të martën, duke njoftuar se bllokada do të zgjaste të paktën 22 orë. Një bllokadë e ngjashme u organizua edhe në qytetin e dytë më të madh të Serbisë, Novi Sad.

Studentët e universitetit kanë qenë pjesë e protestave pothuajse të përditshme, të cilat filluan pas shembjes së një mbulese betoni në stacionin hekurudhor të Novi Sadit në nëntor, ku humbën jetën 15 persona.

Gjatë bllokadës së së hënës në mbrëmje, policia ndërhyri për një kohë të shkurtër duke përdorur shkopinj gome, ndërsa protestuesit u përpoqën të bllokonin një nga hyrjet kryesore të televizionit me barriera metalike të sigurisë.

Studentët akuzojnë televizionin publik për raportim të njëanshëm dhe për mbështetje të Vuçiçit dhe qeverisë gjatë protestave. Presidenti serb ishte i ftuari kryesor i edicionit të lajmeve të televizionit të hënën mbrëma.

Gjatë intervistës, Vuçiç ofendoi protestat e udhëhequra nga studentët dhe paralajmëroi se forcat e sigurisë do të përdorin forcë ndaj pjesëmarrësve të tubimit të madh të së shtunës. Ai deklaroi se nuk do të dorëhiqet kurrë për shkak të protestave masive në të gjithë vendin.

“Duhet të më vrisni nëse doni të më zëvendësoni,” tha ai.

Gazetari që e intervistoi Vuçiçin i quajti studentët protestues “turmë e dhunshme”, një përshkrim që presidenti e mbështeti. Ndërkohë, televizioni RTS lëshoi një deklaratë duke dënuar bllokadën, duke e quajtur atë një hap të rrezikshëm drejt konflikteve me pasoja të paparashikueshme.

Disa punonjës të televizionit arritën të hynin në ndërtesë përmes një hyrjeje të fshehtë, duke mundësuar vazhdimin e transmetimeve pa ndërprerje.

Protestat e udhëhequra nga studentët kanë mbledhur dhjetëra mijëra njerëz, duke u bërë ndër më të mëdhatë ndonjëherë në Serbi, e cila ka një histori të gjatë protestash kundër qeverisë. Vuçiç i ka përshkruar protestat si një komplot të organizuar nga Perëndimi për ta rrëzuar nga pushteti.

Tubimi i radhës i madh është planifikuar për të shtunën në Beograd, dhe Vuçiç ka pretenduar se protestuesit “do të përpiqen të arrijnë diçka me dhunë, dhe ky do të jetë fundi”. Ai ka paralajmëruar se shumë demonstrues do të përfundojnë pas hekurave, të akuzuar për vepra penale.