Projekti Smart City në Shqipëri, 118.5 milionë euro për kamera në rrugë e radarë


Taksapaguesit shqiptarë do paguajnë 118 milionë euro për projktin Smart City që parashikon vendosjen e kamerave në rrugë, radarëve, kamerave të trupit për policët si dhe sensorët e zhurmave.

Sipas zv.ministrit të Brendshëm Besfort Lamallari, projekti synon rritjen e sigurisë rrugore dhe asaj publike.

Lamallari paraqiti në Komisionin e Jashtëm projektligjin për “ratifikimin e marrëveshjes së huas, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Fondit për Zhvillim të Abu Dhabi-t, për financimin e projektit “Sistemi i kamerave nën administrimin e Policisë së Shtetit-Smart City”.

“Kjo kontratë huaje në aspektin e terminologjisë teknike dhe pjesës së negocimit është e mbuluar nga Ministria e Financave, por duke qenë se Ministria e Brendshme është përfituese fundore përmes Policisë së Shtetit që do të sigurojë të gjithë këtë mbështetje që arrin në vlerën 118.5 milionë dollarë, nga të cilat falë negociatave të bëra, është siguruar dhe si pjesë e kësaj huaje të kemi edhe 20 milionë dollarë grant. Ky projekt është i një rëndësie jetike për vendin, rritjen e parametrave të sigurisë jo vetëm rrugore, por kemi edhe një koncept të zgjeruar të sigurisë publike, duke shkuar në shtrirjen e elementëve të sigurisë dhe përdorimin e inteligjencën artificiale përmes instalimit të radarëve, sensorëve të zhurmave, të kamerave të trupit, si në akset rrugore kombëtare, por edhe në mjedise me rëndësi dhe ekspozim të lartë publik, përfshirë dhe shkollat”, tha Lamallari.

Sipas BIRN, fillimisht ishte parashikuar të merreshin borxh 60 milionë europër projektin por tashmë projekti do kushtojë 118.5 milionë euro, duke ngritur shqetësim mbi mungesën e garës dhe transparencën.