Prej orës 10:00 të mëngjesit kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, ndodhet në seancë në Apelin e Posaçëm të GJKKO, kundër masës së sigurisë ndaj tij “arrest me burg”. Ka përfunduar mbrojtja e tij dhe 4 biznesmenëve Elman Abule, Shkëlqim Fusha, Gentian Sula dhe Meriman Palushi.
Burime bëjnë me dije se, 2 avokatët e Veliajt, Ermir Beta dhe Artur Selmani kanë kërkuar masë më të butë sigurie kundrejt garancisë pasurore, me argumentin se nuk ka rrezik që të prishë provat. Mësohet se Veliaj nuk ka folur gjatë seancës deri në këtë moment, duke ia lënë fjalën avokatëve, sipas Shqiptarja.com.
Edhe Romina Zano, avokatja e Abules ka kërkuar masë më të butë kundrejt garancisë pasurore. Pranë Apelit të GJKO është edhe Joshua Roberts, përfaqësues i studios ligjore amerikane “Kasoëitz Benson Torres LLP”, e cila po këshillon kryebashkiakun Veliaj.
Përfundohet edhe mbrojtja e biznesmenit Shkëlqim Fusha, si dhe Gentian Sulës dhe i Meriman Palushit. Dy të fundit nuk ishin në seancë, por kishin dërguar avokatët. Të tre ndodhen në masën detyrim paraqitjeje, nën akuzë për korrupsion, ndërsa avokatët e tyre kanë kërkuar heqjen e masës, me argumentin se nuk është në nivelin e standardit ligjor, pasi sipas tyre provat nuk janë të mjaftueshme.
Prokuroria e Posaçme po jep qëndrimin e saj sa i përket kërkesave të avokatëve që kanë ankimuar masën.
Ndërkohë ankimet po shqyrtohen nga gjyqtari Engert Pëllumbi, i cili njihet edhe si gjyqtari që ka dënuar ish-ministrin Saimir Tahiri.
Masën e sigurisë nuk e ka ankimuar në Shkallën e Dytë të gjyqësorit Ajola Xoxa, Sokol Kryeziu dhe Fatmir Bektashi. Seanca e kësaj të marte pritet të zgjasë, ku më pas gjyqtari Engert Pëllumbi do tërhiqet në dhomë këshillimi për të shpallur më pas vendimin, nëse do lërë në fuqi vendimin e datës 12 shkurt të GJKKO apo në rast se do ndryshojë vendimin e shkallës së parë.
Kryebashkiaku Veliaj mbahet në qeli që prej 10 shkurtit dhe akuzohet për veprat penale “Korrupsion pasiv” dhe “Pastrim parash”, të kryer në bashkëpunim me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, e cila po hetohet në masë detyrim paraqitje, edhe për mosdeklarim pasurie.
Masat e sigurisë në fuqi
Erion Veliaj- arrest me burg
Elman Abule- arrest me burg
Shkëlqim Fusha- detyrim paraqitjeje
Gentian Sula- detyrim paraqitjeje
Meriman Palushi- detyrim paraqitjeje