Shitja në aksionet globale u lehtësua ditën e martë, pas rënieve të mëdha në Wall Street, të nxitura nga shqetësimet e investitorëve për shëndetin e ekonomisë amerikane.
Tregjet e kontratave të së ardhmes u rritën pak në SHBA, kontratat që ndjekin S&P 500 dhe Nasdaq 100, u rritën përkatësisht 0.4 % dhe 0.5 %.
Në Europë, Stoxx Europe 600 ra me 0.1 %, ndërsa Dax i Gjermanisë u rrit 0.6 %.
Euro u rrit 0.6 në 1.090 dollarë, që do të thotë se tani ka rikuperuar pothuajse të gjitha humbjet që nga zgjedhjet në SHBA, pasi investitorët vazhduan të parashikonin një tablo më të mirë të rritjes për Europën.
Rritja e euros u ndikua si nga fillimi i bisedimeve midis delegacioneve amerikane dhe ukrainase në Arabinë Saudite, edhe nga shpresa se marrëveshja e mbrojtjes në Gjermani do të nënshkruhet së shpejti.
Zyrtari i lartë ukrainas Andriy Yermak tha se bisedimet midis Shteteve të Bashkuara dhe Ukrainës “kanë nisur në mënyrë shumë konstruktive”.
“Takimi me ekipin amerikan filloi në mënyrë shumë konstruktive dhe ne po punojmë për të sjellë një paqe të drejtë dhe të qëndrueshme”, tha Yermak, i cili është shefi i kabinetit presidencial të Ukrainës.
Yermak është pjesë e ekipit negociator të Ukrainës, së bashku me ministrin e jashtëm të vendit, ministrin e mbrojtjes dhe zyrtarë të tjerë, të cilët po zhvillojnë bisedime me Sekretarin e Shtetit të SHBA Marco Rubio dhe këshilltarin e sigurisë kombëtare Mike Waltz në Arabinë Saudite.
Aksionet e infrastrukturë dhe mbrojtjes të BE-së – të cilat janë rritur pasi Gjermania javën e kaluar njoftoi një marrëveshje historike për financimin e investimeve në ushtri dhe infrastrukturë – u rritën shumë gjithashtu.
Grupi më i madh i mbrojtjes i Gjermanisë, Rheinmetall, u rrit 3.3 % dhe Leonardo i Italisë ishte 2.5 % më i lartë, të dy duke u rritur që nga fillimi i vitit nga shpresat për shpenzimet e mbrojtjes. Kompanitë e infrastrukturës gjithashtu shtuan fitimet e tyre, me Schneider Electric të Francës me 2.7 % rritje.
Aksionet aziatike, të cilat u hapën ndjeshëm më poshtë të martën pas shitjes së aksioneve në SHBA, rifituan pak terren. Topix i Japonisë dhe indeksi Nikkei 225 i orientuar drejt eksportit përfunduan përkatësisht 1.1 dhe 0.6 % më ulët. CSI 300 i Kinës u rrit 0.3 %.
Kompanitë teknologjike dhe industriale udhëhoqën rëniet në Azi. Prodhuesi i çipave të Tajvanit TSMC ra me 2.7 %, Samsung Heavy Industries i Koresë ra 2.1 % dhe Tokyo Electron e mbylli ditën 0.5 % më poshtë.
Bonot e thesarit të SHBA-së ishin gjithashtu të qëndrueshme, me yield-in e bonove 10-vjeçare në një rritje margjinale në 4.22 %.
Dollari amerikan, i cili është ulur më shumë nga shqetësimet për shëndetin e ekonomisë më të madhe në botë, ra 0.4 % kundrejt një shporte prej gjashtë partnerësh tregtarë dhe është ulur 4.6 % që nga fillimi i vitit.
Çmimet e naftës u rritën; çmimet kontratave të së ardhmës të naftës Brent u rritën me 1 % në 69,99 dollarë për fuçi, pas një rënieje të hënën mes rritjes së pasigurisë mbi kërkesën globale.
VINI RE: Artikulli është pronësi intelektuale e Monitor.