Presidenti amerikan Donald Trump ka urdhëruar një rritje të tarifave për çelikun dhe aluminin kanadez në 50% dhe ka kërcënuar me vendosjen e më shumë masave, pasi provinca e Ontarios vendosi një taksë shtesë prej 25% mbi eksportet e energjisë elektrike në tre shtete amerikane.
Në një postim të gjatë në Truth Social, Trump deklaroi se do të “mbyllë përfundimisht industrinë e prodhimit të makinave në Kanada” nëse qeveria kanadeze nuk heq tarifat ndaj mallrave amerikane.
“Bazuar në vendimin e Ontarios për të vendosur një tarifë prej 25% mbi ‘Energjinë Elektrike’ që hyn në Shtetet e Bashkuara, kam udhëzuar Sekretarin tim të Tregtisë të shtojë një tarifë SHTESË prej 25%, duke e çuar në 50%, mbi të gjithë ÇELIKUN dhe ALUMININ që vjen nga KANADAJA, një nga vendet me tarifat më të larta në botë. Kjo do të hyjë në fuqi NESËR NË MËNGJES, më 12 mars,” shkroi Trump.
Ai gjithashtu i kërkoi Kanadasë të heqë menjëherë tarifën mbi produktet amerikane të bulmetit, e cila sipas tij varion nga 250% në 390%, përcjell The Guardian.
“Së shpejti do të shpall një Gjendje Kombëtare të Emergjencës për Energjinë në zonën e kërcënuar,” shtoi ai.
Trump paralajmëroi gjithashtu se, nëse Kanadaja nuk heq edhe tarifa të tjera, më 2 prill ai do të rrisë ndjeshëm tarifat mbi makinat që hyjnë në SHBA, gjë që “do të mbyllë përfundimisht industrinë e prodhimit të makinave në Kanada”, duke theksuar se ato makina mund të prodhohen brenda SHBA-së.
Vendimi i Ontarios për të shtuar një taksë prej 25% mbi eksportet e energjisë elektrike prek shtetet e Nju Jorkut, Minesotës dhe Miçiganit, të cilat marrin energji nga kjo provincë kanadeze.