Dy të rinj janë arrestuar nga policia në Tiranë pasi janë kapur duke shitur 1.7 kg lëndë të dyshuar kanabis.
Në pranga kanë rënë 36-vjeçari R.Q. dhe 27-vjeçari L.K. banues në Tiranë.
Ata u kapën në rrugën “Memo Meto” e pas kontrollit iu gjetën një qese me kanabis të dyshuar ndërsa pas kontrollit në banesën e 36-vjeçarit u gjetën edhe pajisje elektrike që dyshohet se përdoreshin për kultivimin e kanabisit.
“DVP Tiranë/Finalizohet operacioni policor i koduar “Interruption”.
U kapën në flagrancë në tentativë për të shitur 1 kg e 700 gram lëndë të dyshuar narkotike kanabis, vihen në pranga 2 shtetas. Sekuestrohen 3 kg lëndë narkotike kanabis, paisje elektrike që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura dhe prova të tjera materiale. Specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve të DVP Tiranë, në vazhdën e operacioneve të zhvilluara në fushën e narkotikëve, si dhe si rezultat i administrimit të menjëhershëm të inteligjencës informative, për një rast të shitjes të lëndës narkotike cannabis sativa, kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Interruption”. Në kuadër të këtij operacioni, u arrestuan shtetasit R. Q., 36 vjeç dhe L. K.(A.), 27 vjeç, të dy banues në Tiranë. Këta shtetas u kapën në flagrancë në rrugën “Memo Meto”, me një qese me 1 kilogram e 700 gram lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa, që e posedonin me qëllim shitjen. Në vijim të veprimeve, gjatë kontrollit në banesën e 36-vjeçarit, u gjet një sasi tjetër lëndë narkotike kanabis, pajisje elektrike që shërbejnë për kultivimin e bimëve narkotike në ambiente të mbyllura dhe prova të tjera materiale, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.