Një ndihmës i lartë i presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se bisedimet me Shtetet e Bashkuara për përfundimin e luftës në Ukrainë kanë qenë “shumë konstruktive”.
Takimi po zhvillohet në Xhedah të Arabisë Saudite, me pjesëmarrjen e Sekretarit amerikan të Shtetit, Marco Rubio, dhe zyrtarëve të lartë ukrainas.
Rubio, duke folur para takimit, u shpreh se bisedimet “do të jenë të mira”, ndërsa për Ukrainën ky proces shihet si një mundësi për të rikuperuar marrëdhëniet me presidentin amerikan Donald Trump, i cili së fundmi ka ndaluar ndihmën ushtarake dhe shkëmbimin e inteligjencës me Kievin, përcjell BBC.
Ndërkohë, gjatë natës, një sulm me dron në rajonin e Moskës ka lënë të paktën tre të vrarë, sipas autoriteteve ruse. Zyrtarët në Moskë e kanë cilësuar këtë si sulmin më të madh ajror që Rusia ka pësuar deri tani gjatë luftës.
Në një tjetër zhvillim, krerë ushtarakë nga rreth 30 vende janë mbledhur në Paris për të hartuar plane mbi krijimin e një “koalicioni të gatshëm”, duke sinjalizuar përpjekje të reja për mbështetjen e Ukrainës.