Nga nesër s’ka TikTok, AKEP u kërkon kompanive të internetit ta bllokojnë


AKEP u ka kërkuar kompanive të internetit që të bllokojnë qasjen në aplikacionin TikTok duke nisur që nga dita e nesërme.

Në kërkesën zyrtare, kopmpanive që ofrojnë internet u kërkohet që të bllokojnë të gjitha IP-së DNS-së dhe SNI-ve të TikTok e Byte Dance, kompania mëmë e TikTok.

“Autoriteti Kombëtar për Sigurinë Kibernetike (AKSK) me shkresën nr. 1196 prot., datë 10.03.2025 (administruar në AKEP me nr. 359/2 prot., datë 10.03.2025), ka kërkuar marrjen e masave të nevojshme për bllokimin e aksesit në aplikacionin TIK TOK dhe infrastrukturën e tij digjitale në territorin shqiptar, duke ndërmarrë veprimet e mëposhtme:

  1. Bllokimi i IP-ve të Tik Tok në territorin e Shqipërisë.
  2. Bllokimi i DNS-ve te TikTok në territorin e Shqipërisë,
  3. Bllokimi i SNI (Server Name Indications) të Tik Tok në territorin e Shqipërisë.
  4. Bllokimi i IP-ve të kompanisë ByteDance në territorin e Shqipërisë.

Në shkresën e AKSK-së citohet baza ligjore (Vendimi i Këshillit të Ministrave nr. 151 datë 6.3.2025) dhe listën e të gjitha IP-ve dhe domaineve, për të cilat kërkohet bllokimi i aksesit.

Bazuar në germën ç), të pikës 2 të nenit 30 të ligjit nr. 54/2024 “Për komunikimet elektronike në Republikën e Shqipërisë dhe germës e), pika 1, të nenit 9, si dhe pikës 9 të Aneksit E, të Rregullores së AKEP nr. 47 datë 26.10.2017 “Për zbatimin e regjimit të Autorizimit të Përgjithshëm”, çdo operator/sipërmarrës që ofron shërbime/rrjete të komunikimeve elektronike sipas regjimit të autorizimit të përgjithshëm, duhet të respektojë kufizimet e transmetimeve të përcaktuara me përmbajtje të paligjshme ose të dëmshme nga AKSK.

Për sa më lart, ju përcjellim shkresën e AKSK-së dhe kërkojmë nga secili sipërmarrës (ISP), konfirmim me shkrim në AKEP dhe për dijeni AKSK, për mbylljen e aksesir IP-ve dhe donjaineve të cituara në shkresën e AKSK, brenda datës 13 mars 2025.”