Strategjia tarifore e Presidentit Trump dha një fitore të shpejtë të martën, duke e detyruar Ontarion të tërhiqej nga tarifa e planifikuar prej 25 përqind për eksportet e energjisë elektrike në Shtetet e Bashkuara, edhe pse administrata Trump eci përpara duke vendosur tarifa prej 25 përqind për importet e çelikut dhe aluminit nga Kanadaja, shkruan Breitbart.
Kryeministri i Ontarios Doug Ford njoftoi të martën vonë se provinca do pezullonte tarifën e saj të energjisë elektrike pas diskutimeve me Sekretarin e Tregtisë së SHBA-së, Hoëard Lutnick, duke sinjalizuar një fitore të qartë diplomatike për Trump. Tarifa e Ontarios ishte vendosur si hakmarrje ndaj tarifave të mëparshme të vendosura nga Trump.
Unë nuk jam këtu për të lënduar popullin amerikan,” u tha Ford gazetarëve në Toronto, sipas Wall Street Journal.
“Ndonjëherë ju duhet të luani letrat që keni në dorë, dhe kjo është një nga letrat që ne luajtëm, dhe shpresojmë se do të kemi një bisedë shumë të mirë konstruktive.”
Marrëveshja vjen pas një dite tensionesh të larta tregtare. Kanadaja mbetet furnizuesi kryesor i Amerikës i çelikut dhe aluminit të huaj.
Megjithë lobimin intensiv nga kompanitë amerikane dhe qeveritë e huaja për përjashtime ose shkëputje – të ngjashme me ato të dhëna gjatë administratës së parë të Trump – Shtëpia e Bardhë këmbënguli të martën se nuk do kishte asnjë përjashtim.
“Në bazë të urdhrave të tij të mëparshëm ekzekutivë, një tarifë prej 25% për çelikun dhe aluminin do hyjë në fuqi për Kanadanë dhe gjithë partnerët tanë të tjerë tregtarë në mesnatën e 12 marsit”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Shtëpisë së Bardhë, Kush Desai.
Trump kishte paralajmëruar më herët për masa edhe më të ashpra kundër Kanadasë, duke përfshirë tarifat për pjesët e automobilave, nëse Otava do vijonte hakmarrjen e saj kundër veprimeve tregtare të SHBA-së.
Ford dhe Lutnick pritet të takohen në Uashington të enjten, duke hapur potencialisht rrugën për negociata më të gjera që synojnë përditësimin e paktit tregtar SHBA-Meksikë-Kanada përpara një afati 2 prill të caktuar nga Trump për tarifat e ndërsjella.