Kompania “Reliance Jio” e Mukesh Ambani nënshkroi një marrëveshje me SpaceX të Elon Musk për të sjellë shërbimet e internetit satelitore Starlink në Indi, një lëvizje e papritur nga miliarderët duke qenë se ata ishin në mosmarrëveshje për muaj të tërë se si vendi duhet t’u japë atyre spektrin.
Operatori më i madh i telekomunikacionit në Indi do rezervojë pajisje Starlink në dyqanet e tij me pakicë, duke i dhënë Starlink një pikë të drejtpërdrejtë shpërndarjeje në mijëra pika të tilla në gjithë vendin.
Musk dhe Ambani kishin luftuar fort për mënyrën se si duhet të caktohen valët ajrore për internetin satelitor, me Nju Delhin që në fund përkrahu qasjen për të cilën loboi miliarderi amerikan.
Reliance Jio kishte qenë e shqetësuar, se Musk mund të mbizotërojë hapësirën e telekomit sapo të hedhë në treg prodhimet e tij, por marrëveshja e shpërndarjes përfundimisht do e shohë miliarderin indian që të ofrojë prodhimet e rivalit të tij në tregun me rritje të shpejtë, ndërsa gjithashtu do konkurrojë me to.
“Megjithëse ka qenë befasuese, është një strategji e kujdesshme për Starlink që të hyjë në tregun e Indisë dhe një fitore e favorshme për të gjitha palët e përfshira më parë që konkurronin për ta kishin të gjithë byrekun për vete dhe tani bashkëpunojnë dhe e ndajnë,” tha Neil Shah, bashkëthemelues i firmës kërkimore Counterpoint.
Marrëveshja pason një njoftim të ngjashëm bashkëpunimi mes Starlink dhe lojtarit nr. 2 të telekomit të Indisë, Bharti Airtel një ditë më parë. Të dyja marrëveshjet Airtel dhe Jio janë të kushtëzuara me marrjen e miratimit të qeverisë nga Starlink për të filluar operacionet në vend.
Marrëveshjet vijnë disa javë pasi kryeministri indian Narendra Modi u takua me Musk në Uashington, ku ata diskutuan çështje duke përfshirë hapësirën, lëvizshmërinë, teknologjinë dhe shpikjet.
Sektori i shërbimit satelitor të Indisë do rritet me 36% në vit në 1.9 miliardë dollarë deri në vitin 2030, sipas Deloitte.
Starlink ka pritur që nga viti 2022 për licencat për të operuar komercialisht në Indi, pa një afat kohor ende të qartë për një vendim. Vonesat kanë qenë për disa arsye, përfshirë shqetësimet e sigurisë kombëtare.
Marrëveshja Jio-SpaceX është e lidhur me kushte të caktuara financiare dhe do ndihmojë Reliance të ofrojë prodhime Starlink në zonat ku kompania indiane nuk ka oferta, tha një burim me njohuri të drejtpërdrejta për këtë çështje, pa dhënë hollësi.
Jio Platforms, e cila drejton Reliance Jio, do sigurojë gjithashtu mbështetje instalimi dhe aktivizimi për pajisjet Starlink.
Reliance tha në një deklaratë se Jio dhe SpaceX po vlerësojnë gjithashtu fusha të tjera të bashkëpunimit për të shfrytëzuar infrastrukturën e tyre përkatëse, pa elaboruar.
VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Reuters