Apeli i Gjykatës së Posaçme ka lënë në burg kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj.
Gjyqtari Engert Pëllumbi ka pranuar kërkesën e prokurorëve Olsi Dado e Altin Dumani duke mos e ndryshuar masën e sigurisë ndaj tij.
Sipas Dados e Dumanit, kryebashkiaku Veliaj vë në rrezik procesin duke prishur provat ose intimiduar dëshmitarët.
Në seancën e sotme Apeli vendosi ndryshimin e masës për biznesmenin Elman Abule duke e çuar në arrest shtëpie.
Veliaj është arrestuar më 10 shkurt 2025 pasi akuzohet për korrupsion pasiv e pastrim parash. Kryebashkiaku i Tiranës kishte kërkuar ndryshim të masës së sigurisë ndërsa e sotmja është seanca e tretë pas atyre të së hënës dhe të martës.
Masa detyrim paraqitjeje është lënë në fuqi për tre biznesmenët Gentian Sula, Meriman Palushi dhe Shkëlqim Fusha, të cilët akuzohen për korrupsion aktiv.
Apeli la në fuqi gjithashtu sekuestron e llogarive bankare duke hedhur poshtë kërkesën e bashkëshroets së Veliajt, Ajola Xoxa.
Vendimi i Apelit
“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues monokratik të përbërë nga gjyqtari Engert Pëllumbi, sot më 13.03.2025, shpalli vendimin mbi çështjen penale nr. 13 akti, datë 04.03.2025 regjistrimi, mbi ankimet e personave nën hetim E.V., E.A., M.P., Sh.F., G.S., me objekt: “Ankim ndaj vendimit nr. 7, datë 09.02.02025 dhe vendimit nr. 14, datë 12.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, disponuar në lëndë të masave të sigurimit personal, dhe vendosi:
Miratimin e vendimit Nr. 7 Akti, datë 09.02.2025, të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, i verifikuar me vendimin Nr. 14, datë 12.02.2025, të kësaj gjykate, me këtë ndryshim:
Zëvendësimin e masës së sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arresti në burg”, e parashikuar nga neni 238 i Kodit të Procedurës Penale, e vendosur për personin në hetim E.A., me masën e sigurimit “Arresti në shtëpi”, e parashikuar nga neni 237 i këtij Kodi;
Urdhërohet personi nën hetim E.A. që të mos largohet nga banesa e tij, e cila ndodhet në “***”, si dhe që të mos kontaktojë me persona të tjerë, përveç atyre me të cilët bashkëjeton;
Urdhërohet lirimi i menjëhershëm i personit nën hetim E.A. nga ambientet e paraburgimit, nëse nuk mbahet i izoluar për ndonjë shkak tjetër.
Ngarkohet Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar dhe shërbimet e policisë gjyqësore për zbatimin e këtij vendimi.
Kundër këtij vendimi mund të bëhet rekurs në Gjykatën e Lartë, brenda 45 (dyzet e pesë) ditëve nga e nesërmja e njoftimit të tij.”