Kryetarja e Këshillit Kombëtar të Integrimit, Jorida Tabaku, Nënkryetari i Kuvendit, Agron Gjekmarkaj, dhe Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, zhvilluan sot një takim me Komisioneren Europiane për Zgjerimin, Marta Kos.
Gjatë takimit, përfaqësuesit e opozitës e informuan Komisioneren mbi zhvillimet politike në Shqipëri, duke theksuar mbështetjen e PD-së për procesin e integrimit evropian.
Ata kujtuan se ishte pikërisht Partia Demokratike që e nisi këtë proces dhe mbetet e vendosur për ta çuar deri në fund, duke kërkuar që integrimi të bazohet në ligje dhe reforma konkrete, e jo të shihet si një favor nga BE-ja.
Një tjetër shqetësim i ngritur nga opozita ishte tentativa e mazhorancës për të kufizuar rolin e saj në Kuvend dhe refuzimi për të zbatuar vendimet e Gjykatës Kushtetuese.
Në qendër të bisedës ishin zgjedhjet parlamentare, ku zyrtarët demokratë e informuan Komisioneren Kos mbi shqetësimet për përdorimin e administratës dhe burimeve shtetërore në favor të mazhorancës, presionin ndaj votuesve, pengesat për regjistrimin e votuesve në diasporë dhe përfshirjen e krimit të organizuar në procesin zgjedhor.
Gjithashtu, opozita denoncoi presionin politik ndaj saj, duke e cilësuar arrestimin e liderit të saj, Sali Berisha, si një vendim të pabazuar në prova, ndërsa përmendi si shembuj edhe arrestimin e ish-Presidentit Ilir Meta dhe dënimin e deputetit Ervin Salianji, të cilin e cilësuan si hakmarrje politike për denoncimet ndaj qeverisë.
Në përfundim të takimit, Tabaku, Gjekmarkaj dhe Bardhi i kërkuan Komisioneres Kos që BE-ja të angazhohet në monitorimin e zgjedhjeve, duke pasur parasysh rëndësinë e tyre në kuadër të hapjes së grupkapitullit themelor në procesin e integrimit.