Kisha Orthodokse Autoqefale e Shqipërisë cakton 16 marsin për zgjedhjen e Kryepiskopit të ri


Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë ka njoftuar se më 16 mars 2025, në Ditën e Dytë të Kreshmës, do të mbahet zgjedhja e Kryepiskopit të ri të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë.

Zgjedhja do të zhvillohet në Qendrën Sinodike, menjëherë pas përfundimit të Liturgjisë Hyjnore, dhe do të ndjekë me përpikëri dispozitat e Statutit të Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë.

Ky proces vjen pas ndarjes nga jeta të Kryepiskopit Anastas, që udhëhoqi Kishën për më shumë se tri dekada.

 “Zgjedhja e Kryepiskopit të ri të Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë

Sinodi i Shenjtë i Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë bën me dije se zgjedhja e Kryepiskopit të ri të Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, i cili do të pasojë Kryepiskopin e ndjerë Anastasin, do të mbahet të Dielën e Dytë të Kreshmës më 16 mars 2025, në Qendrën Sinodike, pas Liturgjisë Hyjnore. Procesi i zgjedhjes do të ndjekë dispozitat e Statutit të Kishës Orthodokse Autoqefale të Shqipërisë.

 Tiranë, 13 Mars 2025

 Nga Sekretaria e Sinodit të Shenjtë”, thuhet në njoftim.