Kremlini hedh poshtë armëpushimin afatshkurtër me Ukrainën


Një ndihmës i presidentit rus Vladimir Putin ka hedhur poshtë mundësinë e një armëpushimi afatshkurtër me Ukrainën, duke e quajtur atë “asgjë më shumë se një periudhë e përkohshme frymëmarrjeje” për Kievin.

Deklarata vjen në prag të takimit midis zyrtarëve amerikanë dhe rusë në Moskë, ku do të diskutohet një propozim për armëpushim 30-ditor, sipas BBC.

Ndërkohë, ushtria ruse ka njoftuar se ka rimarrë kontrollin mbi qytetin strategjik të Sudzhës, në rajonin e Kurskut, i cili më herët ishte marrë nga forcat ukrainase.

Kremlini ka deklaruar se është në fazën përfundimtare të një operacioni për të dëbuar trupat ukrainase nga territori rus.

Presidenti Putin bëri një vizitë të papritur në Kursk të mërkurën, ndërsa shefi i ushtrisë ukrainase Oleksandr Syrsky ka lënë të kuptohet se disa njësi të forcave të Kievit janë tërhequr nga rajoni.

Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se Ukraina është “e vendosur” të punojë “sa më shpejt të jetë e mundur” me partnerët e saj për të arritur paqen.

Putin ende nuk ka dhënë një koment zyrtar mbi ofertën për armëpushim.