Një vit OBP, Ministria e Ekonomisë raporton ndryshimet në prokurimet publike


Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, dhe Administratorja e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara (OBP), Arlinda Pogaj, mbajtën sot konferencën e parë për shtyp me rastin e 1-vjetorit të OBP. Ky institucion ka sjellë një ndryshim të rëndësishëm në prokurimin publik në Shqipëri, duke rritur transparencën dhe efiçencën.

Ministri Gonxhja theksoi se përveç reduktimit të kostove, janë thjeshtuar procedurat dhe është rritur besimi në sistemin e prokurimeve publike. Ai vuri në dukje se organizata ndërkombëtare e rendisin Shqipërinë të parën në rajon për transparencën në këtë sektor.

Administratorja e OBP, Arlinda Pogaj, foli për ndikimin e platformës Albzone, e cila ka revolucionarizuar procesin e prokurimeve publike. Ajo njoftoi gjithashtu se është drejt përfundimit platforma iAlbzone, e cila do të mundësojë blerjet e drejtpërdrejta përmes një dyqani virtual, duke e bërë procesin më të thjeshtë dhe më efikas.

Aktualisht, OBP ka 460 operatorë ekonomikë të regjistruar që marrin njoftime automatike për shpalljet, 165 klientë unikë dhe bashkëpunon me 141 institucione publike për përfitime nga ky sistem i centralizuar.