Putin mbështet idenë e SHBA-së për armëpushim në Ukrainë, por kërkon zgjidhje për detajet


Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi të enjten se Rusia pajtohet me propozimet e SHBA-së për një armëpushim në Ukrainë, por theksoi se çdo marrëveshje e tillë duhet të adresojë shkaqet kryesore të konfliktit dhe se ende mbeten shumë detaje për t’u diskutuar.

Në një konferencë shtypi nga Kremlini, pas takimit me Presidentin e Bjellorusisë, Alexander Lukashenko, Putin konfirmoi mbështetjen e tij për armëpushimin, duke shtuar se një marrëveshje duhet të garantojë një paqe afatgjatë.

“Ne pajtohemi me propozimet për ndalimin e luftimeve,” tha Putin. “Por ne besojmë se kjo ndërprerje duhet të çojë në një paqe të qëndrueshme dhe të eliminojë shkaqet e krizës.”

Presidenti amerikan Donald Trump, gjatë një deklarate në Shtëpinë e Bardhë të mërkurën, shprehu shpresën se Kremlini do të pranonte propozimin e SHBA-së për një armëpushim 30-ditor, përcjell Reuters.

 Ukraina tashmë ka rënë dakord për këtë armëpushim dhe ka theksuar se tani i takon Rusisë të japë një përgjigje.

Putin falënderoi Trump për përpjekjet e tij në ndaljen e luftës, duke shtuar se është i gatshëm të diskutojë më tej me zyrtarët amerikanë.

 “Ideja në vetvete është e drejtë dhe ne padyshim e mbështesim,” tha ai. “Por ka çështje që duhen diskutuar. Dhe mendoj se duhet të flasim me kolegët tanë amerikanë.”

Putin gjithashtu la të hapur mundësinë për një telefonatë me Trump për të diskutuar armëpushimin.

“Ne mbështesim idenë e përfundimit të këtij konflikti me mjete paqësore,” deklaroi ai.

Rusia ka qenë në ofensivë që nga mesi i vitit 2024 dhe tani kontrollon pothuajse një të pestën e territorit të Ukrainës, tre vjet pas fillimit të luftës.

Të mërkurën, Putin u shfaq me uniformë ushtarake gjatë një vizite në një qendër komanduese në rajonin e Kurskut, ku trupat ruse kanë avancuar dhe janë pranë dëbimit të forcave ukrainase nga kjo zonë strategjike.