Deputetja e PD-së Jorida Tabaku, që doli gruaja më e votuar në primaret e Tiranës, shkruan se pas lënie jashtë listës së mbyllur, sot nis një sfidë të re në betenë për Tiranë në listën e hapur.
Në qëndrimin e saj në Facebook ajo thekson se në PD nuk i është falur asgjë dhe se çdo betejë e ka fituar me punë dhe përkushtim. Tabaku vëren gjithashtu se do jetë pjesë e parlamentit të ri për të përfaqësuar jo vetëm demokratët po edhe ata që nuk e shohin veten të përfaqësuar.
“Faleminderit demokratëve të Tiranës për besimin! Fitova primaret me mbështetjen tuaj dhe isha ndër më të votuarit, por sot nis një sfidë të re—betejën për Tiranën në listën e hapur! Në Partinë Demokratike asgjë nuk më është falur. Çdo betejë e kam fituar me punë dhe përkushtim, dhe ashtu do të ndodhë edhe tani! Do të jem në Parlamentin e ri për të përfaqësuar jo vetëm demokratët që më votuan, por edhe ata që ende nuk e shohin veten të përfaqësuar. Për një ekonomi më të mirë, për shtresën e mesme, për familjet shqiptare, për integrimin Europian dhe për luftën ndaj korrupsionit! Betejat nuk më trembin! Nuk më trembi komisioni hetimor, as pronarët e inceneratorëve që sot janë në arrati apo në qeli. Nuk më trembi as beteja për profesionet e lira dhe të drejtat e qytetarëve. Ndaj nuk do të më trembë as kjo sfidë! Për mua nuk ka pasur dhe nuk do të ketë privilegj më të madh sesa të jem zëri i demokratëve dhe të vazhdoj t’ju përfaqësoj me dinjitet dhe vendosmëri!” – shkruan Trabaku.