Tregjet evropiane bien ndërsa frika nga lufta tregtare përshkallëzohet


Bursat evropiane kanë përmbysur fitimet e mëparshme dhe tani po tregtohen me humbje, teksa tensionet tregtare mes SHBA-së dhe Bashkimit Evropian po përshkallëzohen.

Kjo vjen pasi Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi me tarifë 200% mbi verën, shampanjën dhe pijet alkoolike nga BE, nëse blloku nuk e heq tarifën prej 50% mbi uiskin amerikan.

Tarifa e BE-së u shpall të mërkurën si hakmarrje për tarifat e reja prej 25% të SHBA mbi çelikun dhe aluminin. Tarifat e BE-së pritet të hyjnë në fuqi më 1 prill.

Lëvizjet Kryesore në Bursë pasqyruan se FTSE 100 i Mbretërisë së Bashkuar ka rënë me 10 pikë, duke u mbyllur në 8,532, ndërsa DAX i Gjermanisë ka humbur 0.86% të vlerës dhe tregjet franceze dhe italiane janë ulur me rreth 0.4%, sipas The Guardian.

Ndërkohë, euro ka rënë me 0.3% por mbetet pranë niveleve më të larta të muajve të fundit kundrejt dollarit, pasi tregtarët po ndjekin me vëmendje debatin e Bundestagut mbi rritjen e huamarrjes së Gjermanisë.

Indeksi i dollarit është rritur me 0.1% ndaj valutave kryesore, ndërsa sterlina ka rënë me 0.1%, duke u tregtuar në $1.2942.

Një tjetër faktor që po ndikon në tregjet financiare është publikimi i të dhënave më të fundit për çmimet e prodhimit në SHBA, të cilat tregojnë një zbutje të presioneve inflacioniste.