Berisha: Lubi Balluku përgjegjëse për vjedhjet e tmerrshme të fondeve, pas 11 majit do ketë audit


Kreu i PD-së Berisha përsëriti sot akuzat ndaj ministres së Infastrukturës Belinda Balluku.

Në një bashkëbisedim me gazetarët në selinë blu, ai tha se pas 11 majit do ketë audit të përgjithshëm për shkeljet e bëra.

“Lubi Balluku përgjegjëse kryesore për vjedhjet e tmerrshme të fondeve publike në ndërtimin e rrugëve, e jo më pak edhe Edi Rama. Mos harroni 2.3 miliardë euro kanë kushtuar pllakat e gurëve në sheshet e qyteteve. Janë vjedhur 2 miliardë euro nga korporata shtetërore e krimit. Merr fund kjo. Një audit i përgjithshëm pas 11 majit do bëhet për shkeljet. Do t’u tregohet shqiptarëve vjedhjen e tmerrshme të ndodhur në kurriz të tyre.” – tha Berisha.

Ai u bëri thirrje të rinjve, nxënësve e studentëve që të marrin pjesë në protestën e nesërme të thirrur nga PD-ja në orën 18:00 në sheshin “Skënderbej”.

“Thirrja ime për gjimnazistët, studentët e nxënësit, të rinjtë e prindërit të bashkohen nesër në protestën anticensurë. Një tiran njësoj me drejtuesit e Kabulit dhe ajatollahun e Iranit, armik i fjalës së lirë, duke shkel ligjin e Kushtetutën i vuri gërshërë, vari TikTok-un. Në diktaturë gjëja që urreja më shumë ishte censura e tmerrshme, fondet e shkurtuara për biblioteteka. Edi Rama e tejkaloi edhe këtë.” – shtoi Berisha.