KFOR dhe EULEX forcojnë bashkëpunimin për sigurinë në Kosovë


Komandanti i KFOR-it, Gjenerali Enrico Barduani, dhe shefi i EULEX-it, Giovanni Pietro Barbanome, nënshkruan sot Procedurat e Përbashkëta Operacionale të Rishikuara, duke forcuar bashkëpunimin mes dy misioneve ndërkombëtare që operojnë në Kosovë.

Këto procedura synojnë përmirësimin e koordinimit dhe efikasitetit të operacioneve të përbashkëta në fushën e sigurisë, duke respektuar mandatin dhe përgjegjësitë e secilit mision.

Në një njoftim për media, KFOR-i theksoi se ky hap do të ndihmojë në integrimin më të mirë të përpjekjeve civile dhe ushtarake për të garantuar stabilitetin, sigurinë dhe paqen në Kosovë.

KFOR-i vazhdon të veprojë në përputhje me Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke kontribuar në krijimin e një mjedisi të sigurt për të gjithë qytetarët dhe garantimin e lirisë së lëvizjes. Bashkëpunimi i ngushtë me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in mbetet kyç për arritjen e këtyre objektivave.