Politikanët shqiptarë urojnë Ditën e Verës


Dita e Verës, festa e lashtë që simbolizon largimin e dimrit, e ka zanafillën në faltoren e Zana e Çermenikës, perëndesha e natyrës dhe gjuetisë. Fillimisht festuar në Elbasan, kjo traditë është përhapur në mbarë Shqipërinë, veçanërisht në Tiranë. E trashëguar brez pas brezi, Dita e Verës mbetet një simbol i kulturës dhe identitetit elbasanas. 

Presidenti Bajram Begaj ka uruar qytetarët për Ditën e Verës, festën tradicionale që shënon ardhjen e pranverës. Përmes një postimi në rrjetet sociale, ai ndau një foto me ballokume, duke theksuar rëndësinë e Elbasanit si kryeqyteti i kësaj feste.

“Gëzuar Ditën e Verës me këtë shportë të përgatitur nga amvisat e Elbasanit, kryeqytetit shqiptar të festimit të kësaj dite!” – uroi Begaj.

Edhe kryeministri Edi Rama përcolli urimet e tij përmes një videoje të shpërndarë në rrjetet sociale, ku shkroi thjesht: “Gëzuar Ditën e Verës”.

Ndërkohë, kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ndodhet sot në Elbasan për të festuar Ditën e Verës. Në orën 10:00, ai do të pritet nga drejtuesi politik i qarkut, Tomorr Alizoti, dhe kandidatët për deputetë pranë Hotel “Skampa”, ku do të mbajë edhe një prononcim për mediat.

Më pas, Berisha do të zhvillojë një takim në Vila 3 me drejtuesit politikë të qarkut dhe përfaqësues të PD-së në Elbasan.