Sektori bankar shpenzon më shumë se dy milionë euro në vit për ATM-të dhe POS-et


Bankat kanë shtuar ndjeshëm investimet për të zgjeruar dhe modernizuar infrastrukturën e tyre të pagesave.

Adrian Shehu, Drejtor i Përgjithshëm i Printec Albania, thotë në një intervistë për “Monitor” se mesatarisht një bankë shpenzon të paktën 200 mijë euro në vit për produkte dhe shërbime të lidhura me ATM-të dhe pikat elektronike të shitjes (POS), që do të thotë se i gjithë tregu shpenzon më shumë se dy milionë euro në vit vetëm për këtë segment të pagesave.

Sipas tij, të gjitha bankat kanë investuar për të t’u dhënë klientëve akses 24 orë, në shtatë ditë të javës për të tërhequr dhe depozituar para’, pavarësisht nëse degët janë të hapur apo të mbyllura.

Ai vlerëson se rritja e numrit të turistëve ka shtuar nevojën për të zgjeruar infrastrukturën e pagesave, qoftë në pika elektronike të shitjes për pagesa me kartë (POS), qoftë në ATM, veçanërisht jashtë mjediseve të bankave (off site) ose jashtë mjediseve të bankave.  

Në vitet e fundit, vërehet një tendencë e rritjes së shpejtë të depozitimeve automatike të parasë cash në ATM. Si është reflektuar kjo në kërkesën e institucioneve financiare për pajisje që ofrojnë këto shërbime?

Në vitet e fundit, janë bërë investime të mëdha, jo vetëm në vlera, por edhe në koncepte, lidhur me automatizimin dhe dixhitalizimin e shërbimeve financiare.

Të gjitha bankat kanë investuar për t’u dhënë klientëve akses 24 orë, në shtatë ditë të javës për të tërhequr dhe depozituar para’, pavarësisht nëse degët janë të hapur apo të mbyllura.

Përveç aksesit të pandërprerë në shërbim, rritja e përdorimit të ATM-ve që kryjenë edhe procesin e depozitimit të cash është sigurisht një kursim i madh kohe, sepse shmang nevojën për të qëndruar dhe pritur në radhë, në degë.

Sot një pagesë apo depozitim në arkë kërkon të paktën pesë minuta. Një veprim automatik në ATM mund të kryhet për më pak se një minutë. Kjo sigurisht që është një lehtësi e madhe për konsumatorët, por edhe për bankat.

Në përgjithësi, duke konsideruar të gjitha kanalet bankare, përfshirë ato internet dhe mobile banking, sot përdoruesit mund t’i kryejnë pjesën dërrmuese të shërbimeve bankare, në çdo kohë, në rrugë të automatizuar ose të dixhitalizuar.

Në veçanti, përdorimi i ATM-ve me depozitim të parasë është një lehtësi e madhe për të shmangur mbajtjen dhe ruajtjen e shumave të mëdha të parasë cash. Tashmë, të gjitha bankat kanë nisur ofrimin e këtij shërbimi dhe i janë përgjigjur mirë nevojës dhe kërkesës së tregut.  

Si e vlerësoni shkallën e shfrytëzimit të teknologjive të automatizimit nga sektori bankar shqiptar, duke e krahasuar ndoshta me tregjet e tjera ku keni aktivitet?

Niveli dhe standardi i ofrimit të produkteve dhe shërbimeve të cilat ne ofrojmë është në të njëjtin standard me vendet e zonës europiane, por edhe me vende më të zhvilluara.

E theksoj, me siguri të plotë se produktet dhe shërbimet për të cilat shërbejnë këto produkte, për institucionet financiare, për të lehtësuar të gjitha shërbimet e lidhura me pagesat, ofrohen dhe aplikohen me të njëjtin standard operacional, të cilin e shohim dhe e prekim në vendet e BE-së dhe jashtë saj.

Personalisht, nuk konstatoj ndonjë ndryshim të shërbimeve. Produktet dhe shërbimet janë tashmë standarde të aplikueshme pa dallim territori!

Por, në dekadat e fundit zhvillimet e technologjisë kanë një dinamikë ndryshimesh të lartë dhe ne punojmë për t’i përshtatur ndryshimet në kohë reale. Bashkëpunimi me institucionet financiare është shumë i vlerësueshëm për të ecur paralel me zhvillimet.

Si ka ndikuar rritja e turizmit në shkallën e përdorimit të pajisjeve dhe shërbimeve tuaja?

Sigurisht që rritja e numrit të turistëve ka shtuar nevojën për të zgjeruar infrastrukturën e pagesave, qoftë në pika elektronike të shitjes për pagesa me kartë (POS), qoftë në ATM, veçanërisht jashtë mjediseve të bankave (off site).

Shtimi i POS-eve dhe ATM-të në zonën bregdetare ka ardhur kryesisht nga kërkesa e shtetasve të huaj/turistëve.

Por, Shqipëria nuk është rast i veçantë. Eksperiencat janë edhe nga territore të tjera, të cilat janë ose jo pjesë e BE-së. Tendenca për zgjerimin e alternativave të shërbimeve dhe pagesave, vërehen edhe në vendet fqinje, të cilat kanë trajektore të ngjashme të zhvillimit të turizmit.

Ka një rritje paralele, si në instrumentet e pagesave jo cash, ashtu edhe në ato cash, për t’u dhënë klientëve alternativa të ndryshme.

Për blerjet në shuma të vogla pagesat me kartë mund të mos jenë të leverdisshme për bizneset, ndaj është e rëndësishme që klientët të kenë mundësi të tërheqin edhe cash dhe të paguajnë me para fizike.

Sigurisht që rritja e numrit të turistëve ka shtuar nevojën për të zgjeruar infrastrukturën e pagesave, qoftë në pika elektronike të shitjes për pagesa me kartë (POS), qoftë në ATM, veçanërisht jashtë mjediseve të bankave (off site). Shtimi i POS-eve dhe ATM-të në zonën bregdetare ka ardhur kryesisht nga kërkesa e shtetasve të huaj/turistëve.

Megjithatë, ka shpeshherë ankesa për komisionet e larta të tërheqjes së parave cash në ATM-të off site, për klientët e bankave të tjera. Pse ndodh kjo dhe çfarë kostosh ka mbajtja e këtyre ATM-ve?

Kjo ka të bëjë me kostot operacionale të ofrimit të shërbimit dhe në veçanti me shërbimin DCC (Dynamic Currency Conversion). Shtetasit e huaj, të cilët vizitojnë vendin tonë, kanë llogari në monedhë të vendit ku ata jetojnë.

Në udhëtimet e tyre, si edhe në rastin kur vijnë në Shqipëri, preferojnë në shumë raste të, përdorin ATM-të e rrjeteve të bankave, për të tërhequr para fizike, cash, në valutë vendase, ku në rastin tonë tërheqin lekë. Përdorimi i ATM-ve për të tërhequr cash është shërbim me kosto.

Kostot janë të njohura dhe të rregulluara sipas standardeve të publikuara të rregullatorëve ndërkombëtare, të cilat zbatohen në çdo territor ku ofrohet shërbimi.

Banka është ndërmjetësues i shërbimeve dhe kostot janë pjesë e struktures së komisioneve të shërbimit të përzgjedhur nga konsumatori ose kartëmbajtësi. Nga ana tjetër, furnizimi me para fizike dhe mbajtja e parasë cash në ATM ka kosto të caktuara.  

Si po zhvillohet teknologjia e pajisjeve ATM në vitet e fundit dhe cilat janë risitë që po ofrohen apo mund të ofrohen së shpejti?

Ka vazhdimisht risi në funksionet e pajisjeve të ofruara në tregun vendas! Në përgjithësi, ATM-të në Shqipëri përfaqësojnë zhvilimet më të fundit në teknologji dhe me funksionalitete bashkëkohore.

Risia e radhës do të jetë me ATM-e ku pjesa ekranit do të jetë e pozicionuar ndryshe, ku klienti do të ketë ndjesinë e tavolinës ose të librit të vendosur në tavolinë.

Shumë shpejt do të prezantojmë edhe ATM-të me dy ekrane, të cilat do të mundësojnë marrëdhënie më të mirë të klientit me kërkesat e tyre për të marrë shërbime.

Kjo është risi e dizenjuar me shumë estetikë, njëkohësisht për të qenë edhe thjeshtësisht e lehtë në përdorim.

Sot, teknologjia ofron shumë mundësi. Zhvillimet e fundit u mundësojnë bankave të kalojnë në një proces riqarkullimi të parasë fizike, brenda në ATM. Depozitimet në ATM janë rritur ndjeshëm dhe vijojnë të rriten.

Rritja e depozitimeve në ATM po balancohet me shumat e tërhequra në para’ fizike. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse redukton nevojën për të rimbushur ATM-të me para’ dhe ul kostot për bankat. Pra, çfarë do të depozitohet do të riqarkullojë, me të njëjtat elemente sigurie.

Më tej, shtimi i produkteve dhe shërbimeve në ATM varet edhe nga strategjitë e bankave. Me zhvillimet e fundit, po shmanget edhe nevoja për ta vendosur kartat brenda në ATM, sepse po shkohet drejt njohjes së kartës pa kontakt fizik (contactless).

Një pjesë e bankave janë gati për implementimin e tyre dhe besoj se vitin e ardhshëm thuajse të gjitha bankat do të kalojnë në këtë teknologji.

Shtimi i produkteve dhe shërbimeve në ATM varet edhe nga strategjitë e bankave. Me zhvillimet e fundit, po shmanget edhe nevoja për ta vendosur kartat brenda në ATM, sepse po shkohet drejt njohjes së kartës pa kontakt fizik (contactless). Një pjesë e bankave janë gati për implementimin e tyre dhe besoj se vitin e ardhshëm thuajse të gjitha bankat do të kalojnë në këtë teknologji.

Sa investon mesatarisht sektori bankar në pajisje dhe shërbime të lidhura me ATM dhe POS-e?

Varet nga madhësia e bankës, por në vitet e fundit vërehet që ka investime të mëdha nga të gjitha bankat, në përputhje me madhësinë dhe nevojat e tyre. Vlerësimi i saktë është kompleks, sepse ka dy pjesë: investimi në pajisje të reja dhe shërbimi i suportit për mirëmbajtjen apo përditësimin e tyre.

Mendoj se mesatarisht një bankë shpenzon të paktën 200 mijë euro në vit për shpenzime kapitale apo operative të lidhura me rrjetin e ATM-ve dhe POS-et.  Kjo e kuptuar si një mesatare, por shpenzimet mund të jenë të luhatshme, vit pas viti.

Për shembull, në një vit kur banka vendos të investojë në pajisje të reja, shpenzimi është më i lartë. Në vitet kur nuk ka investime në ATM të reja, shpenzimi mund të jetë më i ulët, por në këto periudha rriten shpenzimet operative të lidhur me suportin dhe mirëmbajtjen.

Në përgjithësi bankat po i japin më shumë prioritet këtyre pajisjeve dhe madje janë të interesuara edhe tek një pamje estetikisht e përshtatshme, në funksion të imazhit të bankës.

Për shembull, ka një tendencë për të përdorur ekrane sa më të mëdha dhe me prekje sigurisht, që pajisja të jetë sa më praktike, transparente, kushtet të jenë më të lexueshme, e kështu me rradhë.

Nga ana tjetër, edhe përditësimi i teknologjisë e bën të domosdoshëm kryerjen e zëvendësimit të pajisjeve.

Një ATM vlerësohet se përdoret afërsisht 10 vjet dhe pas kalimit të këtij afati zëvendësohet me pajisje të një teknologjie bashkëkohore dhe shumë më të lartë, sepse duhet të ndjekësh tendencat e kohës dhe të tregut.

Si mund t’i shërbejë teknologjia dhe automatizimi ofrimit eficient të shërbimeve në zonat më periferike, ku ka një prani më të pakët të degëve/agjencive fizike të bankave?

Me aq sa di unë, në të gjitha qendrat administrative ka njësi bankare. Ndoshta jo degë, por të paktën agjenci. Gjithashtu, ka edhe ATM. Ndoshta mund të ketë mungesë në zonat rurale, por është e qartë se në ato zona edhe vetë numri i klientëve të bankave është i vogël dhe shërbimet bazike financiare ofrohen nga institucionet financiare jobanka ose zyrat postare.

Megjithatë, në ato zona ku ka një zhvillim ekonomik të lidhur sidomos me turizmin dhe agroturizmin, është e qartë se edhe interesi i bankave për të ofruar shërbime është më i lartë, sepse funksioni i bankave është të mbështesin dhe të lehtësojnë aktivitetin ekonomik.

VINI RE: Artikulli është pronësi intelektuale e Monitor.