Seriali televiziv saudit ngjall polemika në Lindjen e Mesme


Seriali i profilit të lartë përshkruan jetën e Muawiya ibn Abi Sufyan, një shok i Profetit Muhamed

Një prodhim televiziv saudit shumëmilionësh që portretizon jetën e një sundimtari të hershëm islamik ka shkaktuar polemika në Lindjen e Mesme, me Irakun dhe Iranin që kanë ndaluar shfaqjen ndërsa disa klerikë e kanë denoncuan atë si mëkatar.

Thuhet se seriali arab më i shtrenjtë i prodhuar ndonjëherë me kosto rreth 100 milionë dollarë, përqendrohet në përçarjen e diskutueshme të shekullit të shtatë që i bëri myslimanët të ndaheshin në dy degëzime kryesore, sunitë dhe shia, një ndarje politike dhe fetare që ka zgjatur deri në ditët e sotme.

Seriali i profilit të lartë me skena luksoze dhe skena epike beteje përshkruan jetën e Muawiya ibn Abi Sufyan, një shoqërues i Profetit Muhamed, i cili luftoi kundër kushëririt dhe dhëndrit të profetit Ali ibn Abi Talib, i cili nderohet nga myslimanët shia.

Shfaqja filloi të shfaqej në kanalin saudit MBC si pjesë e programit të tij për Ramazan. Muaji i shenjtë, kur muslimanët agjërojnë nga lindja e diellit deri në perëndim të diellit, është sezoni më i lartë i shikueshmërisë televizive në rajon me transmetuesit që lëshojnë dhjetëra shfaqje të ndjekura nga miliona familje në shtëpi pasi kanë ngrënë iftarin.

Shiat ose Shi’at Ali, që do të thotë partizanët e Aliut, u referohen atyre që besojnë se udhëheqja e komunitetit musliman duhet të mbetet sipas vijës së gjakut të profetit. Ndërsa sunitët, të cilët nuk e mbështetën këtë gjë tani përbëjnë shumicën e muslimanëve të botës, me shiat që përfaqësojnë rreth 10-15 për qind të muslimanëve në mbarë botën. Irani, Iraku dhe Bahreini janë vende me shumicë shia.

E xhiruar në Tunizi me një kast panarab dhe një regjisor egjiptian, data origjinale e publikimit të shfaqjes u shty nga viti 2023. Disa argumentuan se vonesa ishte për të shmangur përshkallëzimin e tensioneve midis Arabisë Saudite, e cila e konsideron veten një udhëheqëse të botës myslimane sunite, dhe fqinjëve të saj me shumicë shia.

“Rreth 14 shekuj më vonë, muslimanët sunitë dhe shia vijojnë të mos pajtohen për disa narrativa historike të periudhës së hershme islame, duke përfshirë Muawiya ibn Ebi Sufjanin”, tha H.A. Hellyer, një bashkëpunëtor i lartë në Institutin Mbretëror të Shërbimeve të Bashkuara për Studimet e Mbrojtjes dhe Sigurisë në Londër.

Këto pikëpamje të ndryshme janë përdorur shpesh për të përkeqësuar rivalitetet ekzistuese politike, të cilat nganjëherë kanë shpërthyer në dhunë sektare, tha ai.

Shikuesit gjithashtu kanë kritikuar Muavijen për pasaktësitë historike dhe përshkrimet që shihen si të papërshtatshme për një figurë të madhe islame

Sipas Hellyer, sauditët mund të kenë vendosur të publikojnë serialin pasi marrëdhëniet e mbretërisë me Irakun dhe Iranin u përmirësuan.

“Ndoshta ata mendojnë se marrëdhëniet e tyre me Irakun dhe Iranin janë më elastike dhe mund të përballojnë stresin e tensionit që mund të ndodhë si rezultat,” tha ai.

Të dy vendet e kanë ndaluar shfaqjen me autoritetet e transmetimit të Bagdadit duke thënë se mund të “kërcënojë paqen sociale”, por nuk ka pasur përshkallëzim të retorikës zyrtare kundër Arabisë Saudite.

Në Egjipt, një studiues në Universitetin Al-Azhar tha se përshkrimi i personazhit të Muavijes ishte “fetarisht i papranueshëm”, ndërsa një klerik tjetër tha se shikimi i shfaqjes ishte mëkat. Institucioni fetar në Egjipt ka qenë prej kohësh kundër përshkrimeve të filmuara të profetit dhe shokëve të tij të hershëm.

Brenda Arabisë Saudite, kundërshtimi nga institucioni zyrtar fetar është heshtur ndërsa mbretëria po hapet nën axhendën e liberalizimit social të Princit të Kurorës Mohammed bin Salman.

Prodhimet e MBC Group në pronësi të shtetit kanë ndezur më parë polemika, veçanërisht me një seri rreth sundimtarit mysliman të shekullit të shtatë, Umar ibn al-Khattab, i publikuar një dekadë më parë.

Ai program u dënua në atë kohë nga Myftiu i Madh i Arabisë Saudite, Sheikh Abdulaziz Al-Alsheikh, i cili kritikoi portretizimet filmike të figurave të larta në historinë islame.

Ish-ekzekutivi i MBC, Mazen Hayek tha se grupi duhet të ndërmarrë rreziqe krijuese në mënyrë që të mbajë audiencën që mund të ketë qasje të shohë prgrame rivale, përfshirë shërbimet ndërkombëtare të transmetimit.

“Nëse lini materiale të tensionuara dhe tema të vështira vetëm për firmat e huaja ose globale, do të mbeteni me tema që të gjithë i prodhojnë në të njëjtën mënyrë,” tha Hayek, i cili tani është një konsulent mediatik me bazë në Dubai.

Shikuesit kanë kritikuar gjithashtu serialin Muawiya për pasaktësitë historike dhe përshkrimet që shihen si të papërshtatshme për një figurë të madhe islame.

Përdoruesit në mediat sociale kanë ironizuar skenëne lindjes së tij që shfaq nënën e tij të veshur me rroba nate nga Victoria’s Secret me fëmijën të mbështjellë me një batanije nga Zara Home. Një tjetër skenë që tërhoqi zemërim tregoi Muawiya pa rroba në pjesën e sipërme të trupit dhe të mbështjellë me një peshqir ndërsa gruaja e tij i bënte një masazh pasi ai kishte bërë dush.

Pavarësisht ndalimeve dhe mosmiratimit të udhëheqësve fetarë, shikuesit mund të vijojnë të dynden për ta parë shfaqjen.

“Nuk është e qartë sa ndalimet dhe polemikat do e dëmtojnë pritjen e serialit,” tha Hellyer.

“Ato madje mund të nxisin vlerësimet.”

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e FT