Presidenti amerikan Donald Trump ka deklaruar se Shtetet e Bashkuara kanë zhvilluar bisedime të mira dhe produktive me presidentin rus Vladimir Putin lidhur me luftën në Ukrainë.
Gjatë diskutimeve, Trump ka kërkuar nga Putin që të kursejë jetën e mijëra ushtarëve ukrainas që janë rrethuar nga forcat ruse, përcjell BBC.
“Kishim bisedime shumë të mira dhe produktive me Presidentin Vladimir Putin të Rusisë dje, dhe ka një shans shumë të madh që kjo luftë e tmerrshme dhe e përgjakshme më në fund të marrë fund,” shkroi Trump në një postim në Truth Social.
Kremlini ka bërë të ditur se ka një “optimizëm të kujdesshëm” për një marrëveshje armëpushimi me Ukrainën, por ka paralajmëruar se “ka ende shumë punë për të bërë”.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka theksuar se Putini ende pret përgjigje mbi disa pyetje të ngritura lidhur me mënyrën se si do të funksiononte një armëpushim i ndërmjetësuar nga SHBA.
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky e ka cilësuar përgjigjen e Putinit si “manipulative”, duke nënkuptuar se Kremlini mund të përdorë bisedimet për të fituar kohë ose për përfitime strategjike.
Ndërkohë, Rusia ka deklaruar se vazhdon të rimarrë territore në rajonin e Kurskut, të cilin Ukraina e kishte pushtuar vitin e kaluar.
Të dyja palët kanë raportuar sulme të reja me dronë gjatë natës së kaluar, ku Ukraina ka pësuar disa të plagosur pas një sulmi në Kharkiv, ndërsa Rusia ka raportuar një sulm ndaj një impianti nafte në jug të vendit
Bisedimet për një armëpushim mbeten në qendër të diplomacisë ndërkombëtare, por ende nuk ka një marrëveshje të qartë mbi kushtet dhe kohëzgjatjen e tij.