Ukraina mohon pretendimin e Trump për rrethimin e trupave të saj në Kursk


Ushtria e Ukrainës ka hedhur poshtë pretendimin e Donald Trump se mijëra trupa të saj janë rrethuar në rajonin Kursk të Rusisë, duke e cilësuar atë si “të rremë”, raporton The Telegraph.

Shtabi i përgjithshëm i Ukrainës, përkundrazi, akuzoi Rusinë se po fabrikon raporte për “manipulim politik dhe ushtrim presioni ndaj Ukrainës dhe partnerëve të saj”.

Presidenti amerikan i bëri sot një apel Vladimir Putinit që të kursejë jetët e “mijëra trupave ukrainase [që] janë plotësisht të rrethuara” nga forcat ruse.

Pretendimi i tij duket se bazohet në deklaratën e Putinit se trupat e Kievit në Kursk, ku Rusia po përparon me shpejtësi, kishin vetëm dy zgjedhje: “Dorëzohuni ose vdisni.”

“Kjo do të ishte një masakër e tmerrshme, e paparë që nga Lufta e Dytë Botërore,” paralajmëroi Trump.

Në përgjigje, Ukraina njoftoi se “nuk ka asnjë kërcënim që njësitë tona të rrethohen” në Kursk, pasi ato janë tërhequr në pozicione “më të favorshme”, gjë që është konfirmuar edhe nga analistët e mbrojtjes.

Megjithëse Trump nuk ka folur drejtpërdrejt me Putinin, i dërguari i tij, Steve Witkoff, u takua mbrëmë me liderin rus në Moskë për të diskutuar propozimin amerikan për një armëpushim 30-ditor, të cilin Ukraina e ka pranuar.

“Patëm diskutime shumë të mira dhe produktive” në Moskë dje, tha Trump, pavarësisht pretendimeve të Volodymyr Zelensky-t se Putini po “saboton diplomacinë” duke vendosur “kushte të papranueshme” për një armëpushim.