Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka bërë thirrje ndaj Shteteve të Bashkuara dhe presidentit Donald Trump që të përdorin ndikimin e tyre për të detyruar Rusinë të ndalojë luftën në Ukrainë, duke paralajmëruar se “Putini nuk do ta përfundojë këtë luftë vetë”.
Në një deklaratë të fortë, Zelenskyy tha se “nuk duhet ta lejojmë luftën të zvarritet“, ndërsa theksoi nevojën për të ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj Kremlinit për të siguruar që Rusia të pranojë përfundimin e konfliktit, përcjell The Guardian.
Zelenskyy u shpreh se Ukraina është gati të veprojë shpejt dhe në mënyrë konstruktive dhe se menjëherë pranoi një propozim amerikan për një armëpushim të menjëhershëm e të pakushtëzuar në terren.
Në kontrast, ai kritikoi Putinin për “manipulime dhe mashtrime”, duke thënë se lideri rus po përpiqet të pengojë diplomacinë duke vendosur kushte të papranueshme edhe para një armëpushimi.
“Putini nuk mund të dalë nga kjo luftë, sepse kjo do ta linte atë pa asgjë. Prandaj ai po bën gjithçka për të sabotuar diplomacinë,” tha Zelensky.
Ai e akuzoi liderin rus për gënjeshtra mbi situatën në front, mbi humbjet ushtarake dhe mbi ekonominë ruse, duke thënë se ajo është dëmtuar rëndë nga “ambiciet e tij imperialiste të pamatura”.
Në mesazhin e tij, presidenti ukrainas bëri një thirrje të drejtpërdrejtë ndaj Trump dhe administratës amerikane, duke theksuar se vetëm SHBA-ja ka fuqinë për të ndalur agresionin rus.
“Putini nuk do ta ndalë këtë luftë me dëshirën e tij. Por fuqia e Amerikës është e mjaftueshme për ta bërë këtë të ndodhë,” tha ai.
Zelenskyy shtoi se çdo shtyrje e armëpushimit është vetëm në favor të Rusisë, duke paralajmëruar se Putini do të përpiqet të zvarrisë bisedimet përmes negociatave të pafundme, siç kishte bërë më parë me marrëveshjet e Minskut.
“Ne kemi paralajmëruar për këtë. Putini kërkon vetëm të zvarrisë çdo proces diplomatik ndërsa vazhdon të vrasë njerëz. Kjo është mënyra se si funksionon Rusia,” tha ai.
Zelenskyy falënderoi partnerët evropianë, SHBA-në dhe Arabinë Saudite për mbështetjen dhe përpjekjet e tyre për të ndërmjetësuar një zgjidhje.
Ai përfundoi mesazhin e tij me thirrjen për veprime të vendosura nga komuniteti ndërkombëtar për të ndalur luftën.
Negociatat dhe propozimi amerikan për armëpushim
Në fjalimin e tij, Zelensky përmendi gjithashtu një takim të rëndësishëm me përfaqësuesit amerikanë në Arabinë Saudite, ku u diskutua një propozim për një armëpushim të menjëhershëm në tokë, ajër dhe det.
“Ne e mbështesim këtë iniciativë dhe duam t’i besojmë Amerikës dhe presidentit të saj. Ne jemi gati të veprojmë shpejt dhe të japim rezultat,” deklaroi ai.
Ai theksoi se është përgjegjësi e aleatëve të Ukrainës të sigurojnë që Rusia të mos ketë më justifikime për të vazhduar luftën, duke i bërë thirrje Washingtonit dhe Evropës të ndërmarrin veprime të forta për të ndaluar agresionin rus.