Arbër Hajdari vlerësohet me titullin “Qytetar Nderi” i Dibrës së Madhe


Drejtuesi i Fondacionit “Fundjavë Ndryshe”, Arbër Hajdari, është nderuar nga Komuna e Dibrës së Madhe me titullin “Qytetar Nderi”.

Ky titull iu akordua për kontributin e jashtëzakonshëm në fushën e humanizmit, ndihmën e pakursyer për shtresat në nevojë, dhe për promovimin e vlerave të solidaritetit dhe bamirësisë, duke shërbyer si një shembull frymëzues për shoqërinë. Titulli iu dorëzua nga Kryetari i Komunës, Hekuran Duka.

Arbër Hajdari theksoi se ky titull nuk i përket vetëm atij, por gjithashtu të gjithë individëve që kanë mbështetur fondacionin “Fundjavë Ndryshe” për të ndihmuar ata që kanë nevojë.

Në ceremoni morën pjesë Kreu i Partisë Demokratike për Integrim në Maqedoninë e Veriut, Ali Ahmeti, i cili e cilësoi Hajdarin si “hero të paqes dhe humanizmit”, si dhe Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili theksoi se Arbër Hajdari është një shembull që duhet ndjekur nga të rinjtë shqiptarë.

Ceremonia u zhvillua në godinën e Komunës së Dibrës së Madhe dhe morën pjesë familjarë, politikanë nga Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria, artistë dhe gazetarë, të cilët shprehën mirënjohje dhe vlerësime për veprën e tij.