Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha duke komentuar mbylljen e Zërit të Amerikës nga SHBA-të deklaroi se nesër mund të mbyllet edhe televizioni shtetëror në Shqipëri.
Sipas tij mbyllja e Zërit të Amerikës nuk është censurë por çështje e gjeopolitikës globale.
Ndërsa për mbylljen e mundshme të RTSH-së, nesër, Berisha tha se shqiptarët nuk do pësojnë asnjë cenurë.
Berisha i bëri komentet në përfundimin e protestës së opozitës kundër mbylljes së TikTok-ut nga qeveria e Edi Ramës që e konsideroi censurim dhe cënim të lirisë së fjalës.
“Komenti im është ky, gjatë mandatit të parë të presidentit Donald Trump, pavarësisht se çfarë thotë propaganda kundër tij, asnjë gazetar nuk është ndëshkuar.
Unë e kam ndjekur sepse atë e kam tregues.
Dhe e dyta,fjala më e bukur që ai ka mbajtur, ka qenë fjala për censurën, garancitë që ai dha se nuk do ketë censurë në SHBA.
Në këtë kontekst, mbyllja e Zërit të Amerikës është çështje e gjeopolitikës globale.
Pra, ata konsiderojnë se shpenzimet kolosale që bëhen me këtë radio të kufizohen ose të shmangin një propagande që administrata aktuale dhe zonja Lake e konsideronte të tepërt.
Kështu që nuk ka të bëjë me censurën kjo. Ai është një ent publik. Nesër mund të vendoset të mbyllet televizioni shtetëror, por në qoftë se televizionet private kanë të gjithë hapësirën, shqiptarët nuk pësojnë asnjë censurë.
Në këtë aspekt, mund të them se ai ishte një akt anticensurë mbyllja e Zërit të Amerikës”-deklaroi Berisha.