Berisha prezanton paketë për personat me aftësi ndryshe


Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka prezantuar një program emergjent për mbështetjen e qytetarëve në nevojë, të quajtur “Paketën e Dhembshurisë”.

Berisha u shpreh se nëse PD vjen në pushtet, kjo paketë do të zbatohet brenda tre muajve të parë dhe do të përfshijë vendosjen e një minimumi jetik prej 200 eurosh për pensionistët dhe invalidët, rimbursimin 100% të pajisjeve për personat me aftësi ndryshe dhe sigurimin e plotë të kujdestarëve të tyre.

Gjithashtu, Berisha premtoi rrogë minimale 500 euro, rritje pensioni me 20% dhe ulje të çmimit të naftës me 30-40%.

Pjesë nga fjala e kreut të PD Sali Berisha:

PD me ardhjen në pushtet ka përcaktuar si paketë emergjence, paketën e dhembshurisë, e cila do të zbatohet tre muajt e para të qeverisjes.

Kjo paketë përfshin së pari, vendosjen e minimumit jetik për çdo shqiptar që merr ndën 200 euro. Vendosja 200 euro e minimumit jetik.

Për të gjithë ata që marrin pension më të ulët se 200 euro, se marrin pension të pjesshëm apo nuk marrin pension. Për të gjithë invalidët dhe të tjerë.

Së dyti, karta e konsumatorit. Rikthimi i taksës që paguajnë në blerje, të gjithë rrogëultëve dhe pensionistëve.

Së treti, ju keni shumë të drejtë. Sot në Shqipëri më të braktisurit janë njerëzit me aftësira ndryshe, apo siç po flisnit ju, invalidët.

Pa asnjë diskutim që do të ju paguhen të plota sigurimet shoqërore kujdestarëve, sikundër do të krijohen qendrat më të fuqishme të rehabilitimit në mënyrë që këto qytetarë të mund të bëjnë një jetë sa më normale.

Të gjitha pajisjet që atyre u nevojiten për jetën normale, do tu jepen me rimbursim 100% nga qeveria. Pra do të ketë një ndryshim rrënjësor me qëndrimin ndaj tyre.

Po kjo paketë parashikon rrogën minimale, nuk ka rrogë ndën 500 euro, parashikon rritjen e pensioneve, përveç 200 eurove, me 20%.

Parashikon rrogën mesatare 1200 euro. Parashikon uljen e çmimit të naftës në masën 30-40 përqind me të njëjtat vlera që është në Kosovë.

Ne do të përmbysim shpërndarjen e buxhetit duke vënë në epiqendër qytetarin, jetesën e tij dhe ti japim mundësinë ti nxjerrim nga varfëria ekstreme dhe të bëjnë një jetë sa më normale.