Kreu i koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, Adriatik Lapaj, ka deklaruar se synimi i tij është rrëzimi i sistemit të listave të mbyllura për deputetët.
Gjatë një takimi me qytetarët, ai tha se politika tradicionale po mban peng Shqipërinë dhe theksoi se do të luftojë për lista të hapura.
“Duhet të shkojmë në Parlament me dinjitet, ose kurrë mos shkofshim,” u shpreh ai, duke bërë thirrje për një bashkim të madh për demokratizimin e vendit.
“Synuan të mbajnë peng Shqipërinë, as shamë dhe as mallkuam, as gjyqtarët e asgjë tjetër. Por, u ngritëm dhe kërkojmë politikisht ti shpartallojmë ato lista përmes djegies së listave të mbyllura.
Për ne do të kishte qenë shumë komode të zinin të gjithë kryesoret e lëvizjes, vendet e para nëpër qarqe, siç lukunia e së djeshmes e keni parë po zihen. Por ne vendosëm të shkojmë në lista të hapura, le të shkojmë në Parlament me dinjitet ose kurrë mos shkofshim.
Ose me dinjitet, ose kurrë. Kur të çoheni nga ky shesh flisni me njerëzit mos i lini të manipulohen, bindini që kjo është mundësia për ta çarë sistemin e tyre, sa herë rrezikohen bëhen bashkë, për ata nuk është thjesht politikë, por biznese me vlerë aq sa blen buxheti i shtetit.
Ne ende nuk jemi në fushatë, se kur të nisë fushata do jetë aq e zjarrtë dhe aq madhështore saqë do e kuptojnë se çfarë kanë bërë.
Nuk kemi dalë tu themi njerëzve, na votoni ne se jemi më të mirë se ata, se jemi më të zgjuar apo më të ndershëm, kemi dalë për tu kërkuar njerëzve një bashkim të madh për të demokratizuar Shqipërinë.”