Plagosi me armë gjahu 53-vjeçarin, arrestohet autori në Elbasan


Një 53-vjeçar është plagosur me armë gjahu në Elbasan pas një konflikti për motive të dobëta. Falë ndërhyrjes së shpejtë të Policisë, autori i dyshuar është identifikuar, kapur dhe arrestuar.

I ndaluari, Ilir Dedja, 32 vjeç, i njohur për precedentë penalë në fushën e vjedhjes, dyshohet se ka qëlluar ndaj shtetasit B.B., duke e plagosur atë në këmbë. Fatmirësisht, 53-vjeçari ndodhet jashtë rrezikut për jetën pas marrjes së ndihmës mjekësore.

Policia ka finalizuar operacionin e koduar “Reagimi”, në kuadër të të cilit u bë e mundur kapja e autorit dhe sekuestrimi i armëve të gjetura në banesën e tij.

Gjatë kontrollit, forcat policore zbuluan një armë zjarri automatike me silenciator, armën e gjahut të përdorur në krim dhe municion luftarak. Arma e zjarrit me silenciator është dërguar për ekspertizë në Institutin e Policisë Shkencore, për të verifikuar nëse është përdorur në ngjarje të tjera kriminale.

Gjithashtu, një 35-vjeçar, A.M., është proceduar penalisht për moskallëzim krimi, pasi dyshohet se kishte dijeni për ngjarjen, por nuk e ka denoncuar.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.

Njoftimi i policisë:

 

 

Plagosi me armë gjahu një shtetas, gjatë një konflikti për motive të dobëta, falë reagimit të menjëhershëm të Policisë identifikohet, kapet dhe vihet në pranga autori.

I arrestuari, me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes.

Gjatë operacionit policor të koduar “Reagimi”, Policia i gjeti në banesë autorit të dyshuar një armë zjarri automatike me silenciatorë, armën e gjahut me të cilën dyshohet se plagosi 53-vjeçarin dhe municion luftarak.

Arma e zjarrit me silenciator u dërgua në Institutin e Policisë Shkencore për ekzaminim të mëtejshëm, për të parë nëse kjo armë është përdorur në ndonjë ngjarje kriminale të ndodhur më parë.

Procedohet penalisht dhe një 35-vjeçar, për moskallëzim të krimit.

Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan, si rezultat i veprimeve të shpejta operacionale dhe hetimore, menjëherë pas marrjes së njoftimit se një shtetas kishte shkuar në spital, për të marrë ndihmë mjekësore, i dëmtuar në këmbë, dyshuar me armë gjahu, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Reagimi”.

Si rezultat i operacionit, u bë i mundur identifikimi, kapja dhe arrestimi në flagrancë i autorit të dyshuar, shtetasit Ilir Dedja, 32 vjeç, me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes.

Nga veprimet hetimore dyshohet se 32-vjeçari, gjatë një konflikti për motive të dobëta, ka qëlluar me armë gjahu shtetasin B. B., 53 vjeç, i cili është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën.

Më tej, në vijim të veprimeve u referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasin A. M., 35 vjeç, pasi dyshohet se ka patur dijeni për ngjarjen dhe nuk ka kallëzuar.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.