Dhjetëra mijëra njerëz nga e gjithë Serbia pritet të marrin pjesë në një protestë kundër korrupsionit në Beograd, e cila shihet si kulmi i muajve të demonstratave që kanë tronditur pushtetin e presidentit të vendit, Aleksandar Vučić, përcjell The Guardian.
Tensionet janë të larta, pasi mbështetësit e presidentit kanë filluar të ngrejnë kampe në një park përpara pallatit presidencial. Më herët këtë javë, Vučić paralajmëroi se forcat e sigurisë do të përdorin forcën kundër pjesëmarrësve në protestën e planifikuar për të shtunën.
Vučić, i cili ka dominuar politikën serbe që kur u bë kryeministër në vitin 2014 dhe më pas president në 2017, deklaroi se protestuesit nuk do ta detyrojnë kurrë të japë dorëheqjen.
“Duhet të më vrisni nëse doni të më zëvendësoni,” tha ai.
Autoritetet janë përballur me protesta pothuajse të përditshme që nga nëntori i kaluar, kur çatia e një stacioni treni u shemb duke vrarë 14 persona në Novi Sad, qyteti i dytë më i madh i Serbisë. Shumë njerëz fajësuan korrupsionin e përhapur për këtë fatkeqësi, pasi stacioni ishte inauguruar nga Vučić në vitin 2022 pas rinovimeve.
Lëvizja protestuese, e cila nuk ka një udhëheqës të qartë, ka qenë kryesisht paqësore, por Vučić ka pretenduar se protestuesit “do të përpiqen të arrijnë diçka me dhunë dhe ky do të jetë fundi”, duke parashikuar se “shumë do të përfundojnë pas hekurave” të shtunën.
Sipas Agjencisë France-Presse, mes aktivistëve të vendosur pranë pallatit presidencial janë parë ultranacionalistë të njohur, përfshirë anëtarë të një milicie të dikurshme të lidhur me vrasjen e kryeministrit të atëhershëm Zoran Đinđić në vitin 2003.
Đinđić, i cili udhëhoqi protestat që rrëzuan Slobodan Miloševićin në vitin 2000, u vra 22 vjet më parë nga një grup paramilitar i njohur me emrin jozyrtar “Beretat e Kuqe”.
Dragan Đilas, lideri i partisë opozitare Liria dhe Drejtësia, shkroi në X: “Vučić ka mobilizuar kriminelë, banditë dhe anëtarë të Beretave të Kuqe, duke sjellë njerëz nga Kosova dhe duke i vendosur në Parkun Pionirski, duke ditur që qindra mijëra do të mblidhen atje të shtunën”.
Vučić dhe Partia e tij Progresive Serbe, e cila ka arritur të margjinalizojë opozitën zyrtare, janë tronditur nga protestat studentore – një lëvizje spontane që kërkon reforma të thella, por pa një plan të qartë për ndryshime demokratike.
Protestuesit kërkojnë përgjegjësi për tragjedinë në Novi Sad, si dhe institucione transparente, të bazuara në sundimin e ligjit. Më shumë se një duzinë personash janë akuzuar për shembjen fatale të çatisë së stacionit. Kryeministri i atëhershëm, Miloš Vučević – ish-kryebashkiaku i Novi Sadit kur filluan rinovimet – dha dorëheqjen në janar, së bashku me kryetarin aktual të bashkisë.
Vučić, i cili shihet si ai që sakrifikoi kryeministrin për të mbrojtur veten, ka përjashtuar mundësinë e krijimit të një qeverie kalimtare dhe mbajtjes së zgjedhjeve brenda gjashtë muajve. Duke e përshkruar protestën si një komplot të orkestruar nga Perëndimi për ta rrëzuar atë dhe për të shkatërruar Serbinë, ai ka adoptuar një retorikë të ngjashme me narrativat ruse.
Dušan Spasojević, profesor në Fakultetin e Shkencave Politike në Universitetin e Beogradit, tha për AFP se gjuha provokuese e përdorur nga qeveria mund të jetë një përpjekje për të dekurajuar pjesëmarrjen në protestë.
Sipas tij, Vučić “po shpreson që protestuesit të shkaktojnë ndonjë incident të dhunshëm, duke i dhënë policisë arsye për të ndërhyrë dhe duke bërë që shumica e njerëzve të tërhiqen nga protestat”.
Vëzhguesit ndërkombëtarë janë gjithnjë e më të shqetësuar për dhunën kundër demonstruesve, pas disa incidenteve ku makina u lëshuan drejt protestuesve dhe disa pjesëmarrës u shtruan në spital.
“Reagimi i Serbisë ndaj këtyre protestave do të jetë një test vendimtar për angazhimin e saj ndaj standardeve të BE-së”, shkroi një grup ndërpartiak i anëtarëve të Parlamentit Europian në një letër drejtuar presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
Serbia është vend kandidat për anëtarësim në BE që nga viti 2012, por përparimi është ngadalësuar nën udhëheqjen e Vučićit dhe qëndrimin e tij pro-rus ndaj luftës në Ukrainë.
Eurodeputetët, që përfaqësojnë një gamë të gjerë politike nga konservatorë te majtistë radikalë, argumentojnë se BE-ja ka qenë “shumë tolerante dhe e butë” ndaj qeverisë serbe. Ata i kërkojnë von der Leyen të sigurojë që Serbia të ketë “zgjedhje të lira dhe të ndershme, një gjyqësor të pavarur, media pluraliste dhe sundimin e ligjit” përpara se të marrë fonde nga BE-ja.
Serbia pritet të marrë 1.5 miliardë euro në grante dhe kredi të buta nga plani i rritjes i BE-së midis viteve 2024 dhe 2027.
Organizatorët kanë premtuar se protestat do të vazhdojnë edhe pas të shtunës. “Ne nuk po hedhim hapa përfundimtarë – ne po bëjmë ndryshime të thella. Nëse kërkesat tona nuk plotësohen, ne do të mbetemi në rrugë, në bllokada, në luftë derisa të arrihet drejtësia”, shkruan ata në Instagram.