SHBA shpall ambasadorin e Afrikës së Jugut “persona non grata”


Administrata e presidentit Trump ka shpallur zyrtarisht ambasadorin e Afrikës së Jugut në Shtetet e Bashkuara, Ebrahim Rasool, “persona non grata,” tha një zëdhënës i presidentit të Afrikës së Jugut, duke e cilësuar këtë vendim “të shëmtuar.”

Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, deklaroi se ai “nuk është më i mirëpritur” në vend. Ky veprim erdhi pas tensioneve në rritje mes dy shteteve, përfshirë akuzat e presidentit Trump ndaj qeverisë së Ramaphosa për diskriminim ndaj pakicës së bardhë dhe mbështetje ndaj Iranit, përcjell Associated Press.

Në një deklaratë, zyra e presidentit Ramaphosa shprehu keqardhje për këtë vendim dhe theksoi angazhimin e Afrikës së Jugut për të ruajtur marrëdhënie pozitive me Shtetet e Bashkuara.

Për më tepër, Sekretari Rubio ka akuzuar Afrikën e Jugut për “antiamerikanizëm” dhe ka refuzuar të marrë pjesë në takimin e G20 që do të mbahet në Johannesburg, duke theksuar se nuk mund të tolerojë veprime që dëmtojnë interesat amerikane.

Këto zhvillime pasojnë një periudhë tensionesh, përfshirë kritikat e Rasool ndaj politikave të SHBA-së dhe mbështetje ndaj Palestinës, si dhe shqetësimet e SHBA-së mbi ligjin e ri të tokës në Afrikën e Jugut që lejon konfiskimin e tokës pa kompensim.