Protesta e opozitës kundër mbylljes së TikTok-ut ka zgjatur rreth një orë nga nisja e saj.
Tubimi ishte thirrur nga të rinjtë e Partisë Demokratike dhe u mbështet nga strukturat e partisë me disa eksponentë të saj si dhe kreun Sali Berisha.
Në podium u ngjitën studentë, gjimnazistë dhe të rinj të tjerë të cilët folën kundër mbylljes së TikTok-ut.
Një nga gjimnazistet që foli në podium tha se censura është një hije që kërcënon demokracinë dhe armë për të heshtur zërat tanë.
“Demokracia lulëzon në tokën e lirisë së shprehjes. Kur fjalët idetë dhe mendjen janë të lira. Censura është një hije e errët që kërcënon të mbulojë dritën e demokracisë. Në një shoqëri demokratike çdo individ ka të drejtën të shprehë mendimet e tij të kritikojë, të debatojë apo edhe të kërkojë ndryshim. Censura e shkel këtë të drejtë themelore dhe krijon një atmosferë frike. Ajo është një armë e rrezikshme që përdoret për të heshtur zërat tanë. Në duhet të qëndrojmë të vendosur që të mbrojmë lirinë e fjalës. Në një shoqëri demokratike censura duhet të trajtohet me shumë kujdes dhe të mos lejohet të përhapet. Në vend të saj duhet të promovohet liria e shprehjes dhe të mbrohet e drejta e çdo individi për të shprehur mendimet e tij pa frike”- tha Artemisa Zenuni.
Një studente e mjekësisë që foli tha se nuk po kërcënohet vetëm TikTok-u por e drejta për të folur dhe për të nxjerrë realitetin në dritë.
“Sot nuk po kërcënohet vetëm TikToku, por e drejta jonë për të folur, për të kritikuar dhe për të nxjerrë në dritë realitetin që ata duan të fshehin.
Rama po mbyll hapësirat ku të rinjtë tregojnë se si jeton rinia, jo në fasadën e tij, por në mjerim dhe papunësi.
TikTok ka më shumë ndikim se mediat e kapura. Ky është problemi i vërtetë i Edi Ramës.
Nuk është çështja e sigurisë se ai nuk është kujtuar kur gjysma e rinisë iku nga vendi. Ai kujtohet për rininë vetëm kur ajo flet kundër tij…
Ne ngrihemi për të dëshmuar se liria e fjalës është më e fuqishme se dekret dhe çdo tentativë për ta mbytur atë.
Le t’i themi jo censurës, jo propagandës, po lirisë së fjalës,” tha Elida Rançi.
Edhe pse pjesëmarrës në protestë Berisha duket se ja la hapësirën vetëm të rinjve në këtë protestë duke mos u ngjitur në podium.
Por ai dha vetëm një deklaratë për mediat gjatë ikjes nga protesta.
Berisha vlerësoi fjalët e të rinjve si një shprehje të shpirtit dhe zemrës së tyre rinore, duke theksuar pasionin dhe kuptimin e thellë të këtyre mesazheve. Ai e akuzoi Edi Ramën si një armik të lirisë dhe të rinjve, duke e lidhur atë me regjimin e dikurshëm të diktaturës.
“Ishte një manifestim i jashtëzakonshëm i vajzave dhe djemve të rinj kundër censurës për lirinë e fjalës dhe të mendimit.
Ju i dëgjuat fjalët e tyre, fjalë që buronin nga shpirti i tyre i lirë, që buronin nga zemra te tyre rinore.
Edi Rama sot mori ndëshkimin përfundimtar. Sot u damkos si një armik i egër jo vetëm i TikTokut, por një armik i egër i lirisë, armik i egër i të rinjve shqiptarë. U damkos përfundimisht si biri i të atit, i cili 37 vite më parë urdhëronte varjen në litar të poetit Havzi Nela. Pra, Edi Rama sot mori ndëshkimin më të madh, më të merituar. Ia thanë të gjitha të rinjtë. Kurrë nuk kam dëgjuar fjalime kaq të bukura, fjalimeve kaq kuptim të thellë, fjalime me kaq pasion sa dëgjova sot në këtë shesh. Ishte dita e tyre, ishte fjala e tyre dhe unë u mrekullova nga fjalët që mbajtën”-deklaroi Berisha.