Bashkimi Evropian ndoshta ka gabuar duke vënë në shënjestër uiskin amerikan në kundërpërgjigjen e tij ndaj tarifave të vendosura nga SHBA, deklaroi të dielën kryeministri francez, François Bayrou, duke bërë thirrje për negociata për të shmangur detyrime më të dëmshme ndaj industrisë franceze të konjakut.
Presidenti amerikan Donald Trump kërcënoi të enjten se do të vendosë një tarifë prej 200% mbi të gjitha verërat dhe produktet e tjera alkoolike nga BE-ja, nëse blloku nuk heq dorë nga taksa e planifikuar ndaj bourbon-it amerikan.
“Janë bërë disa gabime? Po, ndoshta, sepse bourbon-i i Kentakit është përfshirë sikur të ishte një kërcënim tregtar,” tha Bayrou në lidhje me tarifat e propozuara nga BE-ja si përgjigje ndaj detyrimeve amerikane mbi çelikun dhe aluminin, përcjell Reuters.
“Është marrë një listë shumë e vjetër (e produkteve) pa u kontrolluar siç duhet,” deklaroi ai për radion France Inter.
Kërcënimi i Trump për verërat dhe pijet alkoolike të BE-së ka shkaktuar shqetësim te prodhuesit evropianë, të cilët mbështeten te eksportet, përfshirë prodhuesit francezë të konjakut, të cilët tashmë janë goditur nga tarifat e Pekinit në një mosmarrëveshje të ndarë mbi tarifat e BE-së ndaj makinave elektrike kineze.
Bayrou, i cili u takua me përfaqësuesit e industrisë së konjakut të premten, tha se shpreson që negociatat me Uashingtonin dhe Pekinin të zgjidhin çështjen e tarifave.
Raundi i parë i kundër-tarifave të BE-së ndaj mallrave amerikane, përfshirë bourbon-in, pritet të hyjë në fuqi më 1 prill.
Ndërkohë, Bayrou pritet të vizitojë Kinën për të diskutuar çështjen e konjakut, megjithëse ende nuk janë njoftuar data të sakta.