SHBA-ja deporton qindra venezuelas pavarësisht urdhrit të gjykatës


 

Një avion me më shumë se 200 venezuelas të deportuar nga SHBA ka aterruar në El Salvador, në një veprim që duket se sfidon një urdhër të gjykatës amerikane, i cili e ndalonte administratën e Donald Trump-it të kryente këto deportime.

Presidenti i El Salvadorit, Nayib Bukele, shkroi në rrjetet sociale se 238 anëtarë të bandës venezuelase Tren de Aragua, së bashku me 23 anëtarë të bandës meksikane MS-13, mbërritën në vend të dielën në mëngjes, sipas BBC.

Mbërritja e tyre ndodhi vetëm pak orë pasi një gjykatës federal urdhëroi ndalimin e deportimeve, duke bllokuar përpjekjen e Trump-it për të justifikuar largimet në bazë të Aktit të Armiqve të Huaj të vitit 1798 – një ligj i epokës së luftës.

Në një postim të mëvonshëm, Bukele ironizoi vendimin e gjykatës, duke shkruar: “Ups… Shumë vonë.”

Të deportuarit dërgohen në një burg të sigurisë së lartë

Bukele bëri të ditur se të arrestuarit u transferuan menjëherë në Qendrën e Burgos për Terrorizëm të El Salvadorit, ku do të mbahen për një vit, me mundësinë e zgjatjes së dënimit.

“Shtetet e Bashkuara do të paguajnë një tarifë shumë të ulët për ta, por për ne është një kosto e lartë,” shtoi presidenti salvadorian.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, konfirmoi mbërritjen e personave të deportuar në El Salvador dhe falënderoi Bukele-n, duke e cilësuar atë “udhëheqësin më të fuqishëm të sigurisë në rajon”.

Gjykata urdhëroi ndalimin e fluturimeve me të deportuar, por ato u nisën gjithsesi

Të shtunën në mbrëmje, gjykatësi federal James Boasberg dha një urdhër për ndalimin e menjëhershëm të deportimeve të kryera në bazë të proklamatës së Trump-it, duke e ndaluar administratën e tij të përdorte Aktin e Armiqve të Huaj.

Ky ligj i jep qeverisë fuqi të gjera për të ndaluar dhe deportuar persona pa ndonjë proces të rregullt ligjor, nëse konsiderohen kërcënim për sigurinë kombëtare.

Sipas gazetës Washington Post, Boasberg urdhëroi kthimin mbrapsht të avionëve me të deportuar, pasi u informua se fluturimet kishin nisur pavarësisht vendimit të tij.

Pamje të të deportuarve të lidhur me zinxhirë

Në një video të shpërndarë nga Bukele në rrjetet sociale, shfaqen radhë të të deportuarve me duart dhe këmbët e lidhura me zinxhirë, ndërsa shoqërohen nga oficerë të armatosur në zbritjen nga avioni.

Në pamjet filmike, disa prej tyre vendosen në pjesën e pasme të automjeteve të blinduara, duke nënkuptuar se do të dërgohen në burgje të sigurisë së lartë.

Në muajin janar, Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që e shpalli Tren de Aragua dhe MS-13 organizata terroriste të huaja.