Presidenti amerikan Trump autorizoi sulme ushtarake në shkallë të gjerë kundër rebelëve Houthi të Jemenit të lidhur me Iranin të shtunën, lidhur me sulmet e militantëve kundër anijeve në Detin e Kuq, duke vrarë të paktën 31 persona në fillimin e një fushate që pritet të zgjasë shumë ditë, shkruan Reuters.
Trump paralajmëroi gjithashtu Iranin, mbështetësin kryesor të rebelëve Houthi, se duhej të ndalonte menjëherë mbështetjen për grupin. Ai tha se nëse Irani kërcënon Shtetet e Bashkuara, “Amerika do e mbajë plotësisht përgjegjës dhe Teherani do duhet të vuajë pasojat.”
Sulmet e zhvilluara – për të cilat një zyrtar amerikan i tha Reuters-it se mund të vijojnë për javë të tëra – përfaqësojnë operacionin më të madh ushtarak të SHBA-së në Lindjen e Mesme që kur Trump mori detyrën në janar. Ajo erdhi pasi Shtetet e Bashkuara rritën presionin e sanksioneve ndaj Teheranit, ndërsa përpiqeshin ta sillnin atë në tryezën e negociatave për programin e tij bërthamor.
“Për të gjithë terroristët Houthi, koha juaj ka kaluar, dhe sulmet tuaj duhet të ndalen, duke filluar nga sot. Nëse jo, ferri do bjerë mbi ju si kurrë më parë!” postoi Trump në platformën e tij “Truth Social”.
Të paktën 31 persona u vranë dhe 101 të tjerë u plagosën në sulmet e SHBA-së, kryesisht gra dhe fëmijë, tha Anees al-Asbahi, zëdhënës i Ministrisë së Shëndetësisë të drejtuar nga Houthi në një numër të përditësuar të dielën.
Byroja politike e Houthi-ve i përshkroi sulmet si një “krim lufte”.
“Forcat tona të armatosura jemenase janë plotësisht të përgatitura për t’iu përgjigjur përshkallëzimit me përshkallëzim”, thuhet në një deklaratë.
Banorët në Sanaa thanë se sulmet goditën një ndërtesë në një bastion të militantëve Houthi.
“Shpërthimet ishin të dhunshme dhe tronditën lagjen si tërmet. Ata tmerruan gratë dhe fëmijët tanë,” tha një nga banorët, i cili e quajti Abdullah Yahia, për Reuters.
Sulmet shënjestruan gjithashtu objekte ushtarake Houthi në qytetin jugperëndimor të Jemenit, Taiz, thanë të dielën dy dëshmitarë në zonë.
Houthit, një lëvizje e armatosur që mori nën kontroll pjesën më të madhe të Jemenit gjatë dekadës së fundit, kanë nisur një sërë sulmesh ndaj anijeve në brigjet e tij që nga nëntori i vitit 2023, duke ndërprerë tregtinë globale dhe duke e vendosur ushtrinë amerikane në një fushatë të kushtueshme për të kapur raketat dhe dronët që kanë ndikuar stoqet e mbrojtjes ajrore të SHBA-së.
Një zëdhënës i Pentagonit tha se Houthit kanë sulmuar anijet luftarake të SHBA-së 174 herë dhe anijet tregtare 145 herë që nga viti 2023. Houthi-t thonë se sulmet janë në solidaritet me palestinezët për luftën e Izraelit në Gaza me militantët e Hamasit.