Si u bë Joel Kaplan ndërmjetësi politik më i besuar i Mark Zuckerberg-ut


Kur Mark Zuckerberg njoftoi ndryshimin e rregullave të “fjalës së lirë” lidhur me moderimin e përmbajtjes së META-s  në janar, strumbullari i papritur ishte kulmi i muajve planifikimi me një rreth të ngushtë të drejtuar nga një këshilltar kryesor: lobisti republikan Joel Kaplan.

Sipas intervistave me shumë punonjës dhe ish-punonjës të META-s, Kaplan është ngritur në pushtet gjatë dhjetëvjeçarit të fundit për t’u bërë ndërmjetësi politik më i besuar i Zuckerberg dhe tashmë fytyra publike e platformës së mediave sociale prej 1.7 trilion dollarësh, ndërsa Big Tech po përshtatet me një mandat të dytë nën presidentin republikan Donald Trump.

Figura konservatore u promovua në krye të çështjeve globale pak përpara se Zuckerberg të deklaronte se kompania do lirojë politikat e moderuara dhe do heqë dorë nga kontrollimi i fakteve. Ai zëvendëson ish-zëvendëskryeministrin liberal të Britanisë, Nick Clegg.

Shumë ish-punonjës pohojnë se gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, Kaplan ka ndërhyrë në vendimet e politikave, të tilla si nëse përmbajtja duhet të qëndrojë apo të hiqet. Ata thanë se ai në disa raste ka anashkaluar arsyetimin tipik të politikave të kompanisë ose vendimmarrësit e tjerë të lartë në mënyrë që të qetësojë figurat e krahut të djathtë, në mënyrë që të mos ankohen se janë censuruar.

Kaplan ka qenë i aftë për të “përkulur atë që politikëbërësit duan, pa ndryshuar rrënjësisht produktin”, tha një ish-punonjës i lartë që ka punuar ngushtë me të, duke shtuar: “Deri  së fundmi “.

“Ky është një kërcim politik tejet i brishtë ku Joel e ka ndihmuar Mark-un të lundrojë,” tha Katie Harbath, një ish-drejtoreshë e politikave që ka punuar me Kaplan në strategjinë zgjedhore të META-s për më shumë se dhjetë vite.

“Megjithatë është një gjendje e ndërlikuar me disa kompromise më të vështira.”

Në javët e tij të para në rol, Kaplan ka shkuar në Shtëpinë e Bardhë me Zuckerberg dhe ka kaluar në një sulm magjepsës në Evropë, duke takuar krerë të rëndësishëm politikë si Giorgia Meloni e Italisë dhe Sir Keir Starmer i Britanisë së Madhe.

“Ai ndikon aq shumë te Mark, si askush tjetër,” tha një person që ka punuar ngushtë me Kaplan.

Për disa të brendshëm, Kaplan është ndërmjetësi i besueshëm i pushtetit që Zuckerberg duhet ta përdorë për t’u sjellë me administratën e tanishme dhe të mbrojë linjën përfundimtare të kompanisë.

Për kritikët, përqendrimi i Kaplan në optikë ka ardhur në kurriz të sigurisë në internet dhe rrezikon të tjetërsojë disa punonjës, ndërsa ai formëson politikën për moderimin e përmbajtjes, si dhe etikën e inteligjencës artificiale.

Ai është përballur gjithashtu me goditje për reputacionin, duke përfshirë zbulimet mbi akuzat e kaluara për ngacmime seksuale nga një ish-drejtues i META-s, të cilat u shfaqën këtë javë.

Kaplan i shkolluar në Harvard iu bashkua META-s, më pas Facebook-ut, në vitin 2011 pas qëndrimit si nëpunës i ish-gjyqtarit të Gjykatës së Lartë Antonin Scalia, një oficer i Trupave Detare dhe zëvendësshef i shtabit për politikën në Shtëpinë e Bardhë gjatë administratës së George W. Bush.

Kolegët e tanishëm dhe të mëparshëm e përshkruajnë atë si një ekspert ligjor të respektuar, i cili luajti një rol kyç në zgjerimin e peshës lobuese të META-s dhe ka kërkuar rregullisht të dhëna nga homologët, pavarësisht nga politika e tyre.

“Në një epokë ku të gjithë janë të polarizuar, ai është mbresëlënës në aftësinë e tij për të punuar me të gjithë, në gjithë spektrin,” tha ish-ekzekutivi i lartë i META-s, Elliot Schrage.

Promovimi i tij vjen pasi Zuckerberg ka kërkuar të rindërtojë marrëdhëniet me Trump, duke ndjekur mbështetjen rregullatore për planet e tij për ta bërë META-n një “udhëheqës të Inteligjencës Artificiale”. Trump e ka akuzuar më parë miliarderin për censurë dhe e ka kërcënuar se do ta futë në burg për ndërhyrje të supozuar në zgjedhje.

Kaplan nxiti dhe ndihmoi në krijimin e ndryshimeve të moderuara, të cilat janë parë gjerësisht si një lëvizje për të qetësuar Trump-in dhe janë mirëpritur nga presidenti.

Një burim i brendshëm i META tha se ata mendonin se Kaplan ishte i dobishëm për të siguruar që modeli i META-s në gjuhën e gjerë të inteligjencës artificiale, Llama, të ishte asnjanës në vend që të ndante ndonjë opinion politik përpara zgjedhjeve në SHBA.

Kaplan luajti gjithashtu një rol në ekzekutimin e vendimit të META-s për të lejuar që modelet e AI të kompanisë të përdoren për qëllime ushtarake amerikane, tha personi.

Lidhjet e tij republikane kanë shkaktuar polemika me kolegët e majtë. Në vitin 2018, ai mori pjesë në seancën në Kongres të mikut të tij dhe kandidatit të atëhershëm të Gjykatës Supreme, Brett Kavanaugh, në një shfaqje të mbështetjes për të. Lëvizja shkaktoi bujë në mesin e disa punonjësve të META-s për shkak të pretendimeve se Kavanaugh kishte bërë një sulm seksual kur kishte qenë adoleshent, të cilat ai i ka mohuar.

Kaplan e adresoi çështjen me stafin e Facebook, por më pas vijoi duke organizuar një festë për Kavanaugh kur ai fitoi nominimin, duke shkaktuar shqetësime të tjera të brendshme.

Në një episod tjetër, pasi Trump shkroi një postim të diskutueshëm ku shkruante: “Kur fillojnë plaçkitjet, fillojnë të shtënat” në vitin 2020 gjatë protestave të Black Lives Matter, Kaplan këshilloi ekipin e Trump se si postimet e presidentit mund të qëndronin pa shkelur politikat e platformës mbi nxitjen e dhunës, sipas dy personave me njohuri të drejtpërdrejta për këtë çështje. Ata argumentuan se kjo shkonte përtej proceseve tipike.

Pas këtyre bisedave, Trump shtoi një postim ku thuhej: “Nuk dua që kjo të ndodhë. U fol si fakt, jo si deklaratë.”

Trump u pezullua më vonë nga platforma në vazhdën e trazirave të 6 janarit për shkelje të shumta të politikave.

“Ekziston procedura me shkrim dhe ekziston procedura Joel,” tha një ish-i brendshëm.

“Joeli do fitonte çdo herë. Nick Clegg kishte fuqi globale. Por në SHBA, ka qenë gjithmonë Joel. Ai është i pari mes të barabartëve.”

Meta nuk pranoi të komentonte mbi këtë çështje.

Kaplan u vu në qendër të vëmendjes këtë javë pasi një libër i ri i ish-drejtueses së META, Sarah Ëynn-Ëilliams e akuzoi atë për ngacmim seksual, duke përfshirë komente të papërshtatshme. Në ankesën e saj kundër Kaplan, ajo pretendon se u pushua nga puna si hakmarrje në vitin 2017.

META tha se Wynn-Williams, e cila është e martuar me një redaktor të FT, u pushua nga puna “për paraqitje të dobët dhe sjellje toksike” dhe Kaplan u lirua pas një hetimi të brendshëm që “përcaktoi se ajo bëri akuza mashtruese dhe të pabaza “.

Të mërkurën, META siguroi një vendim të një gjyqtari që ndalon përkohësisht autoren të promovojë librin.

Aleatët e Kaplan e konsiderojnë atë një forcë jetike për kompaninë, me drejtues të tillë si Starmer dhe Meloni që bënë diskutime produktive me të në turneun e tij evropian, sipas këshilltarëve politikë të informuar mbi takimet.

Ai e konsideron Trump një mbrojtës të biznesit amerikan kundër një valë rregullimesh që vijnë nga Bashkimi Evropian, sipas njerëzve të njohur me të menduarit e tij.

“Kur kompanitë trajtohen ndryshe në një mënyrë që është diskriminuese ndaj tyre, atëherë kjo duhet t’i tregohet qeverisë vendase të asaj kompanie,” i tha Kaplan një auditori në Mynih muajin e kaluar. “Mendoj se ne do e bëjmë këtë gjë me Presidentin Trump.”

Një burim i brendshëm i META-s vuri në dukje një fjalim të JD Vance muajin e kaluar në Paris, në të cilin zëvendëspresidenti kritikoi “rregullimin e tepruar” të sektorit të Inteligjencës Artificiale nga BE-ja. “Fjalimi ishte sikur kishte të bënte me META-n”, tha personi, duke shtuar se ato dukeshin sikur mund të ishin thënë nga vetë Kaplan.

VINI RE: Ky material është pronësi intelektuale e Financial Times

Përgatiti  për Hashtag.al, Klodian Manjani