Kanadaja është “më evropiania ndër vendet jo-evropiane”, deklaroi Mark Carney gjatë vizitës së tij të parë jashtë vendit si kryeministër, në Francë dhe Mbretërinë e Bashkuar, ku po kërkon aleanca më të forta për të përballuar sulmet e Donald Trump-it ndaj sovranitetit dhe ekonomisë kanadeze.
Pa e përmendur Trump-in me emër, Carney dhe presidenti francez Emmanuel Macron mbajtën një konferencë të përbashkët për shtyp në Paris për të shfaqur një qëndrim të bashkuar kundër asaj që ata e cilësuan si krizë ekonomike dhe gjeopolitike, një referencë për luftën tregtare të Trump-it dhe diplomacinë e tij “Amerika e Para”, e cila ka tronditur aleatët afatgjatë, sipas The Guardian.
“Kanadaja është një mike unike”, tha Macron, duke shtuar se tregtia e ndershme është më efektive se tarifat. Carney foli në frëngjisht dhe anglisht, duke theksuar rëndësinë e forcimit të lidhjeve me “aleatët e besueshëm”.
“Dua të sigurohem që Franca dhe e gjithë Evropa të punojnë me entuziazëm me Kanadanë, vendin më evropian nga ata jo-evropianë, e cila, ashtu si ju, është e vendosur të ruajë marrëdhënie sa më pozitive me Shtetet e Bashkuara”, tha ai.
Një zyrtar i lartë i qeverisë kanadeze, i cili informoi gazetarët në avionin e Carney-t, tha se qëllimi i vizitës ishte forcimi i partneriteteve me dy vendet themeluese të Kanadasë.
“Kanadaja është një mike e mirë e Shteteve të Bashkuara, por të gjithë e dimë se çfarë po ndodh,” shtoi ai.
Carney e ka zgjedhur qëllimisht Parisin dhe Londrën si destinacionet e para të udhëtimit të tij jashtë vendit, duke pasur parasysh ndikimin historik të këtyre dy vendeve në formimin e Kanadasë.
Gjatë ceremonisë së betimit të premten, ai nënvizoi se vendi është ndërtuar mbi bazat e tre popujve: autoktonëve, francezëve dhe britanikëve.
Ai theksoi gjithashtu dallimet me Shtetet e Bashkuara, duke deklaruar se Kanadaja “kurrë, në asnjë mënyrë dhe në asnjë formë, nuk do të jetë pjesë e Shteteve të Bashkuara”.
Carney, ish-guvernatori i Bankës së Anglisë, do të udhëtojë më pas në Londër për t’u takuar me kryeministrin britanik Keir Starmer, në përpjekje për të diversifikuar tregtinë dhe për të koordinuar një përgjigje ndaj tarifave të Trump-it.
Ai gjithashtu do të takohet me Mbretin Charles, kreun e shtetit të Kanadasë. Udhëtimi në Mbretërinë e Bashkuar është një kthim në shtëpi për Carney-n, i cili është i vetmi jo-britanik që ka shërbyer si guvernator i Bankës së Anglisë në më shumë se 300 vite histori.
Pas vizitës në Evropë, ai do të udhëtojë në skajin verior të Kanadasë për të “ripohoi sovranitetin dhe sigurinë e Kanadasë në Arktik”, përpara se të kthehet në Ottawa, ku pritet të shpallë zgjedhjet e reja brenda pak ditësh.
Carney ka deklaruar se është i gatshëm të takohet me Trump-in nëse ky i fundit tregon respekt për sovranitetin kanadez. Ai tha se nuk ka në plan të vizitojë Uashingtonin për momentin, por shpreson të ketë një bisedë telefonike me presidentin amerikan së shpejti.
Tarifat e rënda prej 25% të vendosura nga Trump-i, si dhe komentet e tij të përsëritura se Kanadaja duhet të bëhet “shteti i 51-të” i SHBA-së, kanë zemëruar kanadezët, duke nxitur një bojkot të gjerë të mallrave amerikane.
Qeveria e Carney-t po shqyrton gjithashtu rishikimin e blerjes së avionëve luftarakë amerikanë F-35 për shkak të luftës tregtare të nisur nga Trump-i.
Partia Liberale në pushtet, e cila më parë dukej në prag të një disfate historike në zgjedhjet e ardhshme, mund të përfitojë nga reagimi kundër Trump-it dhe të dalë më e fortë me liderin e saj të ri.
Profesori Robert Bothwell nga Universiteti i Torontos tha se Carney ka bërë zgjedhjen e duhur duke mos vizituar Uashingtonin.
“Nuk ka asnjë kuptim të shkosh në Uashington,” tha Bothwell. “Siç tregon trajtimi që i bëri Justin Trudeau-së, gjithçka që mund të rezultojë nga një vizitë atje është një përpjekje e pastër nga Trump-i për të poshtëruar mysafirët e tij.”
Sipas tij, Trump-i kërkon respekt, “por shpesh është një rrugë me një drejtim të vetëm, duke kërkuar nga të tjerët që të lënë mënjanë dinjitetin e tyre për t’iu nënshtruar vullnetit të tij”.
Çështja e Arktikut dhe shqetësimet për sovranitetin kanadez
Eksperti politik Daniel Béland nga Universiteti McGill në Montreal theksoi se diversifikimi ekonomik është thelbësor për Kanadanë, pasi mbi 75% e eksporteve të saj shkojnë në SHBA.
Ai gjithashtu vuri në dukje rëndësinë e sovranitetit në Arktik.
“Retorika agresive e presidentit Trump për Kanadanë dhe Groenlandën, së bashku me afrimin e dukshëm mes Rusisë, një fuqi e fortë polare dhe SHBA-së nën Trump-in, kanë shtuar ndjeshëm shqetësimet për kontrollin tonë mbi këtë rajon të largët, por strategjikisht të rëndësishëm,” tha ai.
Vizita e Carney-t në Francë, Mbretërinë e Bashkuar dhe Arktik është pjesë e një strategjie më të gjerë për të forcuar sovranitetin e Kanadasë dhe për të ndërtuar partneritete më të fuqishme përballë presioneve nga administrata Trump.