Fitimi i sektorit bankar e nis me rënie vitin 2025


Sektori bankar e ka nisur me rezultat financiar pozitiv edhe vitin 2025, por megjithatë përfitueshmëria ka filluar të shfaqë shenja rënieje.

Të dhënat e Bankës së Shqipërisë, mbështetur në standardet lokale të mbikëqyrjes, tregojnë se për muajin janar fitimi neto i sektorit bankar kishte vlerën e 3.47 miliardë lekëve, në rënie me 6.2% krahasuar me janarin e vitit të kaluar.

Në rënie ishin edhe treguesit kryesorë të rentabilitetit. Kthimi nga kapitali aksioner zbriti në 19.18, nga 22.52% që kishte qenë një vit më parë. Ndërsa kthimi nga aktivet ra në 1.98%, nga 2.25% që kishte qenë në janarin e vitit të kaluar.

Rënia e fitimeve dhe e treguesve të rentabilitetit po reflekton rënien e normave të interesit. Vitin e kaluar, si Banka e Shqipërisë, ashtu edhe Banka Qendrore Europiane nisën uljen e normave të interesit, pas rritjes së tyre të shpejtë në periudhën 2022-2023.

Pikërisht rritja e normave të interesit kishte qenë një ndër faktorët që nxitën rritjen e fitimeve të bankave në vitet e fundit. Por, kthimi i normave në ciklin rënës po jep efektin e kundërt dhe fitimet e sektorit bankar kanë pësuar rënie në fillim të 2025.

Në mesin e muajit muajit mars, Euribori 12-mujor ishte në nivelin 2.43%, nga 3.71% që kishte qenë një vit më parë. Ulja e Euriborit reflektohet automatikisht në normat e interesit të kredive me interesa të ndryshueshme në euro.

Një tendencë e ngjashme po ndodh edhe me treguesit benchmark në lekë. Yield-i mesatar i ponderuar i bonove 12-mujore në ankandin e fundit ra në 2.73%, nga 3.61% që kishte qenë një vit më parë.

Përfitueshmëria e sektorit bankar kundrejt kapitalit aksioner të investuar kishte pësuar rënie qysh vitin e kaluar. Mbështetur në të dhënat paraprake dhe të paaudituara nga Shoqata Shqiptare e Bankave, për vitin 2024 treguesi kryesor i rentabilitetit, kthimi nga kapitali aksioner ra në 19.34%, nga 22.17% që kishte qenë një vit më parë.

Zmadhimi i kapitalit të sektorit, i lidhur kryesisht me kërkesat gjithnjë e më të shtrënguara rregullatore të Bankës së Shqipërisë, ka bërë që norma e kthimit nga kapitali në nivel mesatar të bjerë.

Pas pandemisë, sektori bankar në vend ka ndjekur një cikël pozitiv, i karakterizuar nga zgjerimi i aseteve, zgjerim i kreditimit të ekonomisë, ulje e raportit të kredive me probleme dhe përmirësim i rezultatit financiar.

Në veçanti, rritja e fitimeve, veç efektit kalimtar të normave të interesit, i detyrohet zgjerimit të sektorit, një oreksi më të për rrezik, uljes së raportit të kredive me probleme dhe një kërkesë në rritje nga sektori privat për hua./Monitor