Prokuroria lituaneze: Rusia organizoi zjarrvënien në dyqanin Ikea në Vilnius, akt terrorist i qëllimshëm


Prokurorët lituanezë kanë akuzuar shërbimin e inteligjencës ushtarake ruse për organizimin e një sulmi me zjarrvënie në një dyqan të Ikea-s në Vilnius vitin e kaluar, duke e cilësuar atë si “akt terrorist”. 

Lituania, anëtare e NATO-s dhe një mbështetëse e palëkundur e Ukrainës që prej pushtimit të Moskës në shkurt 2022, ka paralajmëruar shpesh për përpjekje sabotimi nga Rusia. 

Të hënën, prokuroria e përgjithshme lituaneze i atribuoi zjarrvënien në Vilnius në maj 2024 agjencisë së inteligjencës ushtarake të Rusisë, GRU, përcjell The Guardian.

Ndonëse nuk pati viktima, prokurori Arturas Urbelis u tha gazetarëve: “Ne e konsiderojmë këtë akt si një akt terrorizmi me pasoja të rënda.” 

Dy shtetas ukrainas janë të dyshuar për zjarrvënien në Ikea, ku njëri është arrestuar në Lituani dhe tjetri në Poloni, shtoi ai. 

Është vërtetuar se përmes një sërë ndërmjetësuesish … organizatorët e këtyre krimeve janë në Rusi dhe kjo është e lidhur me inteligjencën ushtarake dhe forcat e sigurisë,” tha Urbelis. 

Prokuroria bëri të ditur se personi i arrestuar në Lituani dyshohet se kishte hyrë në Poloni në pranverën e vitit 2024. 

Gjatë një takimi të fshehtë në Varshavë, ai dhe një person tjetër ranë dakord të digjnin dhe të hidhnin në erë qendra tregtare në Lituani dhe Letoni për një shpërblim prej 10,000 eurosh (afërsisht 11,000 dollarë),” thuhet në deklaratën e prokurorisë. 

Urbelis shtoi se nuk ishte fjala për një rast të izoluar: “Më shumë se një supermarket është djegur, dhe jo vetëm supermarketet.” 

Ai theksoi se autorët dhe ndërmjetësuesit e identifikuar kishin gjithashtu lidhje me aktet kriminale të kryera në Poloni. 

Autoritetet polake janë aktualisht duke hetuar rreth 30 raste të dyshuara të sabotimit ose përgatitjeve për akte sabotimi. 

Prokurori polak Przemyslaw Nowak deklaroi: “Pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia, kemi vërejtur një rritje të aktiviteteve të shërbimeve të huaja në Poloni, përfshirë kryesisht shërbimet ruse.” 

“Fatkeqësisht, kemi prova se në Poloni, dhe jo vetëm në Poloni, ekzistojnë disa grupe të organizuara që planifikojnë dhe kryejnë akte sabotimi,” shtoi ai. 

Duke komentuar zbulimet e autoriteteve lituaneze, kryeministri polak Donald Tusk e quajti “jashtëzakonisht dinake” përdorimin nga Rusia të shtetasve ukrainas për të kryer sabotime. 

“Të dashur aleatë, hetimi i prokurorisë lituaneze ka konfirmuar dyshimet tona se përgjegjës për zjarrvëniet në qendrat tregtare në Vilnius dhe Varshavë janë shërbimet sekrete ruse,” shkroi ai në platformën X. 

“Është mirë ta dimë këtë përpara negociatave. Kjo është natyra e këtij shteti,” shtoi ai, duke iu referuar bisedimeve të mundshme për të ardhmen e Ukrainës së shkatërruar nga lufta.