Rama e cilëson të turpshëm ndalimin e Thaçit nga Gjykata Speciale për të marrë pjesë në varrimin e të atit


Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka dënuar ashpër vendimin e Gjykatës Speciale për të mos lejuar ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, të marrë pjesë në varrimin e babait të tij.

Në një reagim në rrjetet sociale, Rama e cilësoi këtë vendim si një veprim të ulët dhe një tjetër dëshmi e padrejtësisë që, sipas tij, po ushtron kjo gjykatë. Ai akuzoi Specialen se ka degraduar drejtësinë ndërkombëtare duke e kthyer atë në një farsë dhe duke i shndërruar të drejtat demokratike në premtime boshe.

“Kjo është një ulje e re nga një gjykatë që ka humbur çdo kredibilitet, një institucion i turpëruar dhe i paturpshëm njëkohësisht! Ajo e ka kthyer drejtësinë ndërkombëtare në një farsë, të drejtat demokratike në fjalë pa vlerë dhe vullnetin e Parlamentit të Kosovës në një boomerang të dhunshëm!”, shkroi Rama në X.

Reagimi i kryeministrit shqiptar vjen mes reagimeve të shumta nga figura të njohura politike në Shqipëri dhe Kosovë, të cilët kanë kritikuar vendimin e Gjykatës Speciale, duke e cilësuar atë si një shkelje e të drejtave themelore të njeriut.