“Treni i BE-së po na kalon para dere, s’do e lëmë të na ikë” – Rama me kandidatët socialistë


Kryeministri Rama tha se për shkak të rrethanave gjeopolitike Shqipëria ka një mundësi të rrallë që të anëtarësohet shpejt në BE.

Gjatë takimit me kandidatët e PS-së për zgjedhjet e 11 majit, kreu i qeverisë theksoi se vendi nuk mund ta humbë trenin për në BE dhe nuk do e humbë këtë.

“Këto zgjedhje kanë një rëndësi të posaçme gjeopolitike. Mundësia e hyrjes së Shqipërisë në BE është reale, e prekshme, asnjëherë si sot kjo nuk ka qenë diçka konkrete.Është hapur një dritare që nuk do qëndrojë hapur përgjithnjë. Rrethanat e brendshme të Evropës e kanë hapur dhe kjo përputhet me rrethanat tona. Ky është nga ato çaste kur treni i historisë kalon pranë nesh dhe ndalon shumë pak në stacion. Ose e kapim trenin ose e humbim, nuk mund ta humbim dhe nuk do e humbim. Duke parë ndryshimet tektonike që kanë nisur në mbarë botën duhet ta shfrytëzojmë këtë për t’u anëtarësuar në BE.” – tha Rama.