Trump: Do flas në telefon me Putinin të martën për të mbyllur luftën në Ukrainë


Presidenti amerikan Trump tha se planifikon të flasë me atë rus Putin të martën dhe të diskutojë përfundimin e luftës në Ukrainë, pas bisedimeve pozitive midis zyrtarëve amerikanë dhe rusë në Moskë.

“Ne duam të shohim nëse mund ta përfundojmë këtë luftë”, u tha Trump gazetarëve në Air Force One. “Ndoshta mundemi, ndoshta nuk mundemi, por mendoj se kemi një mundësi shumë të mirë. Do flas me presidentin Putin të martën. Është bërë shumë punë gjatë fundjavës.”

Trump po përpiqet të fitojë miratimin e një armëpushimi 30-ditor që Ukraina e pranoi javën e kaluar, pasi të dyja palët vijuan të shkëmbejnë sulme të rënda ajrore gjatë fundjavës dhe Rusia iu afrua largimit të forcave ukrainase nga rajoni perëndimor rus i Kurskut, shkruan Reuters.

Kremlini tha të premten se Putin i kishte dërguar Trump-it një mesazh në lidhje me planin e tij të armëpushimit nëpërmjet të dërguarit të SHBA Steve Witkoff, i cili zhvilloi bisedime në Moskë, duke shprehur “optimizëm të kujdesshëm” se një marrëveshje mund të arrihet për t’i dhënë fund luftës trevjeçare.

Në paraqitje të veçanta në shfaqjet televizive të së dielës në Shtetet e Bashkuara, Witkoff, Sekretari i Shtetit Marco Rubio dhe këshilltari i Trumpit për sigurinë kombëtare, Mike Waltz, theksuan se kishte ende sfida për t’u zgjidhur përpara se Rusia të pranonte një armëpushim, aq më pak një zgjidhje përfundimtare paqësore të luftës.

I pyetur në ABC nëse SHBA-ja do pranonte një marrëveshje paqeje në të cilën Rusia lejohej të mbante pjesë të Ukrainës lindore që ka kapur, Waltz u përgjigj: “A mund të dëbojmë çdo rus nga çdo pëllëmbë e tokës ukrainase?”

Ai shtoi se negociatat duhej të bazoheshin në “realitet”.

Presidenti i Ukrainës Zelensky tha të premten se ai pa një mundësi të mirë për t’i dhënë fund luftës ruse pasi Kievi pranoi propozimin e SHBA për një armëpushim të përkohshëm 30-ditor.

Megjithatë, Zelensky ka thënë vazhdimisht se sovraniteti i vendit të tij nuk është i negociueshëm dhe se Rusia duhet të dorëzojë territorin që ka kapur. Rusia pushtoi gadishullin e Krimesë në vitin 2014 dhe tani kontrollon shumicën e katër rajoneve lindore të Ukrainës që kur pushtoi vendin në vitin 2022.